UIBM do të bëhet pjesë e projekteve ndërkombëtare të Universitetit “Eqrem Çabej”
Universiteti “Eqrem Çabej” në Gjirokastër (UOGJ) ka ofruar mundësi për Universitetin “Isa Boletini” në Mitrovicë (UIBM) që të bëhet pjesë në secilin projekt ndërkombëtar që aplikojnë. Këtë zotim e dha rektori i UOGJ-së, prof. dr. Bektash Mema, gjatë pritjes së një delegacioni nga UIBM, të përbërë nga rektori, prof. dr. Alush Musaj, prorektori, prof.dr. Behxhet Shala dhe dekani i Fakultetit të Teknologjisë Ushqimore, prof.dr. Milaim Sadiku.
Rektori Mema theksoi se UOGJ ka krijuar një përvojë të mirë sa i përket projekteve ndërkombëtare, që kanë krijuar mundësi të mëdha si për studentët ashtu edhe për stafin akademik. “Megjithëse universitetet tona janë në dy skajet e trojeve shqiptare, në jug dhe veri, mundësitë e bashkëpunimit me përfitime reciproke janë të shumta”, tha ai.
Rektori i UIBM, prof. dr. Musaj, falënderoi homologun e tij dhe gjithë ekipin e UOGJ-së për pritjen dhe ofrimin e bashkëpunimit në fusha të ndryshme. Në këtë kuadër ai përmendi mbështetjen reciproke për hapjen e programeve që mund të vlerësohen atraktive për njërin apo tjetrin universitet.
Ditë më parë, gjatë një vizite të një delegacioni të UOGJ-së nē UIBM, është nënshkruar edhe një marrëveshje bashkëpunimi ndërmjet këtyre dy institucioneve të arsimit të lartë. Aty janë specifikuar fushat dhe rregullat e bashkëpunimit me interes për të dy palët.