Foot

UIBM hap rrugën për rrjetëzim me diasporën profesionale shqiptare në Evropë dhe më gjerë

Prorektori për Kërkime, Prof. ass. dr. Bahtir Hyseni dhe Prorektorja për Bashkëpunim Ndërkombëtar, Prof. asoc. dr. Edita Bekteshi, pritin në një takim miqësor dhe frytdhënës PhD kandidaten Shpresa Musa, ish-studente e UIBM, e cila aktualisht ndjek studimet doktorale në Universitetin Teknik të Mynihut në Gjermani. Gjatë takimit, u diskutuan sfidat dhe arritjet në rrugëtimin akademik drejt doktoraturës, si dhe mundësitë për forcimin e lidhjeve ndërmjet diasporës shqiptare dhe UIBM.

Një ndër pikat kryesore të bisedës ishte ideja për krijimin e një platforme rrjetëzimi për profesionistët shqiptarë që veprojnë në universitete, institute dhe industri të ndryshme në Evropë dhe më gjerë. Kjo platformë do të ndërtohet dhe mirëmbahet nga UIBM dhe do të jetë e qasshme përmes faqes zyrtare të universitetit.

PhD kandidatja Shpresa Musa u shpreh e gatshme për të kontribuar aktivisht në ndërtimin e këtij rrjeti dhe për të bashkëpunuar me UIBM në projekte akademike dhe kërkimore. Ajo theksoi rëndësinë e krijimit të një urë komunikimi ndërmjet profesionistëve shqiptarë jashtë vendit dhe institucioneve të arsimit të lartë në Kosovë.

Shpresa Musa ka një profil të spikatur akademik dhe profesional. Ajo ka përfunduar studimet master në Shkencën dhe Teknologjinë e Ushqimit në Universitetin e Nebraska-Lincoln në SHBA, ku u vlerësua me çmimin Best Student Paper Award për hulumtimin mbi trajtimin termik dhe reduktimin e mikrobeve në grurë. Aktualisht, studimi i saj i doktoratës fokusohet në reduktimin e akrilamidit në produktet e përpunuara me nxehtësi, dhe puna e saj është shpërblyer me çmimin ICC Best Speaker Award në kongresin ndërkombëtar për bukën dhe drithërat. Ajo është anëtare aktive e rrjeteve kërkimore si ACRYRED COST Action dhe EFFoST, si dhe kontribuon në projekte të diasporës me organizatën Germin në Kosovë dhe Shqipëri.

Prorektori për Kërkime, Prof. ass. dr. Bahtir Hyseni, theksoi lartë rëndësinë e këtij rrjetëzimi për UIBM si institucion, por po ashtu edhe për vetë profesionistët shqiptarë që kanë nevojë për një pikë lidhjeje të strukturuar me vendin e tyre të origjinës. Ai vlerësoi këtë iniciativë si një hap konkret drejt ndërkombëtarizimit të kërkimit dhe shkëmbimit të dijes.

Ndërkohë, Prorektorja për Bashkëpunim Ndërkombëtar, Prof. asoc. dr. Edita Bekteshi, theksoi rëndësinë e përfshirjes së profesionistëve nga të gjitha fushat, përfshirë shkencat ekzakte dhe ato sociale, duke nënvizuar se një rrjet gjithëpërfshirës do të krijojë një bazë solide për bashkëpunime shumëdimensionale.

Kjo nismë e përbashkët synon të fuqizojë bashkëpunimet kombëtare dhe ndërkombëtare në fushën e kërkimit shkencor, si dhe të ofrojë mundësi konkrete për përfshirjen e ekspertizës së diasporës në zhvillimet akademike dhe institucionale të UIBM.

Në kuadër të kësaj platforme, në faqen zyrtare të UIBM do të krijohet një listë e profesionistëve shqiptarë të diasporës, e cila do të shërbejë si pikë kontakti për bashkëpunime të ardhshme në fusha të ndryshme shkencore dhe teknologjike.