UIBM – model për kushtet e krijuara për personat më aftësi të kufizuara
Kushtet e krijuara për personat me aftësi të kufizuara në Universitetin “Isa Boletini” në Mitrovicë (UIBM), mëtohet të shërbejnë si shembull i praktikës së mirë jo vetëm në Kosovë, por edhe më gjerë. Si rrjedhojë është nënshkruar edhe një Marrëveshje Bashkëpunimi ndërmjet UIBM dhe “OJQ-Little People of Kosova – Mitrovicë”, për të promovuar dhe afirmuar Konventën e re për të Drejtat e Personave me Aftësi të Kufizuara, me konceptin e krijimit të një shoqërie gjithëpërfshirëse për personat me aftësi të kufizuara në të gjitha fushat e punës dhe jetës.
Rektori i UIBM, prof. dr. Alush Musaj, tha se në kampusin e ri universitar janë krijuar kushte të jashtëzakonshme pune, duke përfshirë edhe personat më aftësi të kufizuara. Në këtë kontekst, ai përmendi lehtësimin për qasjen e këtyre personave në të gjitha objektet universitare, por edhe trajtimin e duhur ndaj tyre.
Ndërsa, Hiljmnijeta Apuk, presidente e “OJQ-Little People of Kosova – Mitrovicë”, vlerësoi përkushtimin e drejtuesve të UIBM -së sa i përket krijimit të kushteve dhe qasjes për personat me aftësi të kufizuara. “Nevojitet vëmendje e veçantë që studentët me aftësi të kufizuara, të zhvillojnë dhe të ndërtojnë një strukturë për përfshirjen e tyre më të lehtë në arsimin e lartë në UIBM, i cili do të jetë shembull i praktikës së mirë për universitetet tjera në Republikën e Kosovës, vendet e rajonit të Ballkanit dhe vende të tjera të botës”.
Në kuadër të marrëveshjes palët kanë rënë dakord që aktivitetet e përbashkëta në fushën e përfshirjes gjithëpërfshirëse të studentëve me aftësi të kufizuara në arsim të realizohen me zbatimin e standardeve ndërkombëtare dhe praktikave të mira dhe pjesëmarrjen e tyre në shoqëri në baza të barabarta me të tjerët. Marrëveshja paraqet një kornizë të përgjithshme bashkëpunimi dhe mundëson zhvillimin e programeve të veçanta të bashkëpunimit me interes të përbashkët.
Ndryshe, Konventa për të Drejtat e Personave me Aftësi të Kufizuara, prezanton një model të ri ku personat me aftësi të kufizuara janë subjekt i të gjitha të drejtave që u takojnë në baza të barabarta me të tjerët dhe shfuqizon modelin e vjetër në të cilin personat me aftësi të kufizuara ishin objekt bamirësie, trajtimit mjekësor dhe mbrojtjes sociale. Për këtë qëllim, UIBM dhe “OJQ-Little People of Kosova – Mitrovicë”, kanë vendosur të bashkëpunojnë, për krijimin e kushteve për pjesëmarrjen e personave me aftësi të kufizuar në shoqëri në baza të barabarta me të tjerët.
Nga ky bashkëpunim pritet që të përmirësohen kushtet në arsimin e lartë për akses të plotë për studentët me aftësi të kufizuara, të zhvillohet një kulturë autentike e personave me aftësi të kufizuara për t’i treguar botës se si është të jetosh me aftësi të kufizuara, për të treguar nevojën, për të respektuar diversitetin ndaj personave me aftësi të kufizuara si dhe për të promovuar dhe ndërgjegjësuar publikun për Konventën për të Drejtat e Personave me Aftësi të Kufizuara.