Tryeza

UIBM vlerësohet si model për kushtet që ka krijuar për personat me aftësi të kufizuara

Universiteti “Isa Boletini” në Mitrovicë (UIBM) është model sa i përket krijimit të kushteve dhe trajtimit të personave me aftësi të kufizuara. Kështu u vlerësua të martën në një tryezë të rrumbullakët, që u mbajt në kuadër të projektit “Equality through education – raising awareness of the rights of persons with disabilities”, që mbështetet nga HERAS+ dhe që realizohet nga UIBM.

Në këtë tryezë  ku u diskutua për të drejtat ligjore të personave më aftësi të kufizuara, përveç drejtuesve të UIBM, kishte edhe përfaqësues nga Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MASHTI), Agjencisë së Kosovës për Akreditim (AKA), shoqërisë civile etj. Koordinatori i këtij projekti, prof.ass. dr. Zahir Çerkini, tha se qëllimi i organizimit të kësaj tryezë ka qenë që përveç diskutimeve sa i përket rregullativës ligjore për të drejtat e personave me aftësi te kufizuara, të merren edhe rekomandime nga pjesëmarrësit.

Rektori, prof.dr. Alush Musaj, shfaqi kënaqësinë që në UIBM, përveç infrastrukturës moderne që ka krijuar qasje dhe mundësi për personat me aftësi të kufizuara, është krijuar edhe një klimë shumë pozitive në këtë drejtim. “Është tepër me rëndësi që institucionet tona të integrojnë qasjen pozitive për këtë pjesë të shoqërisë. Kjo krijon mundësi që kultura që kultivojmë të udhëtoj para ligjeve që ndjekin traditën e mirë që etablohet me kohë brenda komunitetit universitar dhe mandej në shoqëri”, tha ai.

Merita Jonuzi, koordinatore e të Drejtave të Njeriut në MASHTI, tha se problemi kryesor sa i përket përfshirjes së personave me aftësi të kufizuara në arsimin e lartë është te zbatimi i rregullativës ligjore. Ajo theksoi se kushtet e krijuara në UIBM sa i përket kësaj pjesë të shoqërisë duhet të merren shembull edhe nga institucionet tjera.

 Edhe Shkelzen Gërxhaliu nga Agjencia e Kosovës për Akreditim e ka potencuar faktin se UIBM është model sa i përket kushteve të krijuara për personat me aftësi të kufizuara. Ai foli edhe për manualin e përgatitur nga AKA që adreson këtë aspekt duke vendosur kritere të qarta për akreditim për institucionet e arsimit të lartë.

Nehat Dervish nga HERAS+, tha se UIBM është përfituesi më i madh i thirrjeve për projekte të fushave të ndryshme. Ndërsa, Ariona Rushiti, kryetare e Parlamentit Studentor, ka folur për përvojat e mira që kanë marrë nga punëtoritë e organizuara në kuadër të këtij projekti që ka të bëj me personat më aftësi të kufizuara.