UKZ merr kryesimin e radhës së Konferencës së Rektorëve
Konferenca e Rektorëve e Universiteteve Publike të Republikës së Kosovës, ka zhvilluar takimin e radhës, ku nga sot kryesimin e saj do ta ketë Rektori i Universitetit “Kadri Zeka” në Gjilan, Prof. Asoc. Dr. Bajram Kosumi.
Në këtë Konferencë kanë marrë pjesë rektorët e universiteteve publike në Republikën e Kosovës, derisa për shkak të situatës së krijuar ditëve të fundit nga COVID 19, është reduktuar numri i mysafirëve të ftuar.
Mbledhje e ka hapur Prof. Dr. Fadil Milaku Rektori i Universitetit ‘’Haxhi Zeka’’ në Pejë, njëherësh kryesuese i Konferencës.
Më pas Rektorët unanimisht kanë zgjedhur kryesuesin e Konferencës së Rektorëve, Prof. Asoc. Dr. Bajram Kosumi Rektor i Universitetit ‘’Kadri Zeka’’ në Gjilan, kurse Prof. Dr. Alush Musaj Rektor i Universitetit ‘’Isa Boletini’’ në Mitrovicë është zgjedhur zëvendës kryesues. Pas votimit është bërë edhe bërë pranim dorëzimi i kryesimit të Konferencës.
Rektori i Universitetit ‘’Haxhi Zeka’’ në Pejë i cili dorëzoi kryesimin tek Rektori i Universitetit ‘’Kadri Zeka’’ në Gjilan, tha se ka qenë privilegj që të punoja së bashku me të gjithë në ngritje të cilësisë dhe vlerave të Universiteteve Publike të Kosovës, gjatë mandatit sa ishte Kryesues i Konferencës.
Kurse Rektori Bajram Kosumi ka falënderuar të gjithë për pjesëmarrje dhe njëherësh ka përgëzuar Rektorin Millaku për kryesimin e deritashëm të Konferencës. Rektori ka thënë se që nga viti 2016 kur u themelua Konferenca e Rektorëve e deri më tani, është bërë mjaft punë e mirë duke mbrojtur arsimin e lartë dhe cilësinë e arsimit nga politikat shkurtë pamëse. Ai ka falënderuar Arsim Bajrami, në atë kohë Ministër e Arsimit Shkencës dhe Teknologjisë në Kosovë, për ndihmën në themelimin e Konferencës së Rektorëve.
Rektori Kosumi pos tjerash ka thënë se do të vazhdoj të punojë në orientimin e politikave programore në Institucionet Publike të Arsimit të Lartë, në ngritjen e cilësisë në arsim për studentët, në mobilitet dhe hulumtime, në promovime shkencore dhe shkëmbim të përvojave.
Rektori ka ftuar të gjithë që të mbështesin universitetet dhe të besojnë në arsimin cilësor në Kosovë.