
UIBM pjesë e projektit Erasmus+ “WeB-Nimbus”
Prof.asoc.dr. Faton Merovci dhe prof.ass.dr. Muzafer Shala nga dy Fakulteti i Inxhinierisë Mekanike dhe Kompjuterike, kanë përfaqësuar Universitetin “Isa Boletini” në Mitrovicë (UIBM) në takimin fillestar (Kick-off Meeting) të projektit “WeB-Nimbus”, i cili mbështetet financiarisht nga programi Erasmus+. Ky projekt, ku janë të përfshira universitete dhe institucione nga vende të ndryshme evropiane, zgjat prej 36 muaj dhe ka për qëllim dizajnimin dhe zhvillimin e kurrikulës për programin master në shkenca kompjuterike “Advancing Cloud and Edge Computing Education in Western Balkan”.
Gjatë takimit, u diskutuan qëllimet kryesore të projektit dhe hapat e ardhshëm, duke përfshirë hartimin e kurrikulave dhe zhvillimin e programeve mësimore që do të avancojnë arsimin në fushën e Cloud dhe Edge Computing në rajonin e Ballkanit Perëndimor. Pjesëmarrja e UMIB në këtë projekt pasqyron përkushtimin e universitetit për përfshirje në projekte ndërkombëtare, përmirësimin e cilësisë në arsim dhe krijimin e partneriteteve të qëndrueshme që kontribuojnë në zhvillimin akademik dhe teknologjik.