Rektoret

Universitetet kosovare mbështesin Universitetin “Nënë Tereza” në Shkup

Rektorët e katër universitete publike në Kosovë, duke përfshirë edhe  Universitetin “Isa Boletini” në Mitrovicë, kanë shprehur përkushtimin e tyre për ta mbështetur  Universitetin “Nënë Tereza” (UNT) në Shkup. Për këtë qëllim, rektorët e universiteteve publike nga Mitrovica, Prizreni, Gjakova dhe Ferizaj, kanë realizuar një vizitë në Universitetin “Nëna Tereze”, ku janë pritur nga homologu i tyre, Aziz Pollozhani.

Rektori Pollozhani, falënderoi rektorët nga Kosova për mbështetjen që i kanë dhënë deri tani UNT-së si dhe vullnetit që po tregojnë institucionet arsimore kosovare në drejtim të zgjerimit dhe avancimit të bashkëpunimit të mëtutjeshëm. Sa i përket këmbimit kadrovik, respektivisht angazhimin e profesorëve për ato drejtime dhe profile të munguara në Maqedoni, Pollozhani deklaroi se pa këtë lloj ndihmese nuk do të ishte i mundur as akreditimi i disa studimeve në kuadër të UNT-së.

Sipas tij, emrat e profesorëve nga Kosova, i kanë paraqitur si pjesë të stafit akademik, aty ku kanë kërkuar akreditimin e programeve, pasi në Maqedoni ka deficit kadrovik, sidomos për shkencat teknike. “Është koha që të konkretizohet dhe detaizojmë çështjet e angazhimit të këtyre kuadrove”, tha ai, pa lënë mënjanë edhe çështjet e realizimit të projekteve të përbashkëta që lidhen me sferën e kërkimeve shkencore, mobilitetin e studentëve dhe të ngjashme.

Gjatë kësaj vizite tri universitete kosovare kanë nënshkruar marrëveshje bashkëpunimi me Universitetin “Nënë Tereza”, ndërsa Universiteti “Isa Boletini”, një marrëveshje të tillë e kishte nënshkruar muaj më parë.  Rektori Alush Musaj, tha se Universiteti “Isa Boletini” është i ri, por Mitrovica ka një traditë të gjatë akademike. “Ne jemi të gatshëm që mundësitë dhe përvojën tonë ta vëmë në dispozicion të studentëve dhe mësimdhënësve të Universitetit “Nënë Tereza” në Shkup”, tha ai.