Universitetet publike shqiptare bashkëpunojnë për të zgjeruar liritë akademike
Rektorët e universiteteve publike shqiptare, do të bashkëpunojë ngushtë me qëllim të rritjes së cilësisë në arsim dhe zgjerimit të lirisë akademike. Për këtë u nënshkrua edhe një deklaratë e përbashkët nga rektorët e këtyre universiteteve.
Deklarata u nënshkrua në kuadër të konferencë së rektorëve të universiteteve publike shqiptare, të titulluar “Arsimi i lartë shqiptar dhe ballafaqimi me të ardhmen”, që u mbajt në Prishtinë. Në këtë konferencë morën pjesë rektorë dhe zëvendësrektorë nga universitetet publike shqiptare në Kosovë, Shqipëri dhe Maqedoni.
Pjesëmarrësit në këtë takim analizuan zhvillimet historike dhe aktuale në arsimin e lartë shqiptar, duke u pajtuar së bashku për të institucionalizuar këtë konferencë dhe për bashkëpunim më të ngushtë në vazhdimësi, me synim avancimin e arsimit të lartë në hapësirat shqiptare. Rektorët dhe përfaqësuesit e universiteteve publike shqiptare, gjatë takimit shtruan problematikat e mungesës së autonomisë në universitete publike, mungesës së vëmendjes ndaj kërkimit shkencor dhe probleme të tjera me të cilat përballen universitetet publike sot.
Të pranishmit u zotuan për të punuar fuqimisht drejt rritjes së cilësisë, zgjerim të lirisë akademike, krijim të standardeve, përmirësim të shërbimeve për studentë, përballim të sfidave teknologjike të kohës, reformim të arsimit të lartë dhe objektiva të tjera, të përfshira në deklaratën e përbashkët, të nënshkruar nga përfaqësuesit e universiteteve publike shqiptare. Përfaqësuesit e universiteteve shtruan edhe idenë e krijimit të një fondi të përbashkët të universiteteve shqiptare, i cili do të mundësonte shkëmbimin e studentëve dhe stafit akademik ndërmjet tyre.
Rektorët u dakorduan që takimet e universiteteve publike shqiptare të jenë takime periodike.