Universitetet publike do të shpallin konkurset pranuese për studentë në të njëjtën ditë
Universitetet publike do të shpallin konkurset për pranimin e studentëve për vitin akademik 2018/19 në të njëjtën ditë. Për këtë u dakorduan rektorët e këtyre universiteteve në takimin e radhës së Konferencës së Rektorëve që u mbajt të hënën në Universitetin “Isa Boletini” në Mitrovicë.
Rektorët thanë se kanë bërë të gjitha përgatitjet e duhura për hapjen e konkurseve për pranimin e studentëve në vitin akademik 2018/19. Konkurset do të hapen pasi Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë të miratoj propozimet për numrin e studentëve që do të pranohen në secilin universitet.
Në këtë mbledhje, rektori i Universitetit “Ukshin Hoti” në Prizren, prof. Dr. Ramë Vata, u zgjodh kryesues i ri i Konferencës së Rektorëve, i cili do të pasoj në këtë post rektorin e Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, prof.dr. Marjan Demaj. Zëvendëskryesues u zgjodh, rektori i Universitetit “Haxhin Zeka” në Pejë, prof. dr. Fadil Millaku.
Rektorët e kanë falënderuar kryesuesin e deritashëm të Konferencës së Rektorëve, prof.dr. Marjan Demaj, për angazhimin dhe punën e bërë. Një vit pas themelimit të kësaj konference, u vlerësua se është bërë një punë jashtëzakonisht e mirë që duhet të vazhdoj edhe në të ardhmen.