Universiteti i përkushtuar për projektet mjedisore
Universiteti i Mitrovicës “Isa Boletini” (UMIB), kompania gjermane HPC dhe organizata GIZ, do të implementojnë bashkërisht një projekt që ka të bëj me mjedisin, përkatësisht me trajtimin e zonave të kontaminuara në Mitrovicë. Për këtë qëllim të martën është nënshkruar edhe një memorandum mirëkuptimi nga rektori i UMIB-it, Alush Musaj dhe menaxheri dhe përfaqësuesi i kompanisë gjermane HPC për Ballkan, Ali Ahmeti, ku janë ndarë detyrat dhe përgjegjësitë për secilin partner.
Rektori Musaj, e ka falënderuar menaxherin e HPC-së për bashkëpunimin me UMIB-in, që ka krijuar mundësi për të përfituar përvoja të reja në lëmin e trajtimit të problemeve mjedisore. “Profesorët tanë janë të kyçur në Qendrën e Kompetencës që funksionon në Mitrovicë së bashku me ekspertët e HPC-së, ku ofrohen trajnime për trajnerë të rinj për mbrojtjen e mjedisit”.
Musaj theksoi se ky projekt është një përvojë e mirë që do të shërbej për hapjen e një programi të ri në fushën e mjedisit në UMIB. “Ideja është që të hapet një program në gjuhën angleze, ku do të përgatiten ekspertë për trajtimin e ujërave te zeza”. Sipas tij, për ekspertë të tillë kanë nevojë të gjitha shtetet e Ballkanit.
Ndërsa, menaxheri dhe përfaqësuesi i kompanisë gjermane HPC për Ballkan, Ali Ahmeti, ka vlerësuar përkushtimin e drejtuesve të UMIB-it për projekte të përbashkëta. “Tashmë kemi një traditë të mirë bashkëpunimi me UMIB-in, që jemi të interesuar ta vazhdojmë më tej, duke qenë se Universiteti do të jetë promotor i zhvillimeve sa i përket mbrojtjes së mjedisit”, tha ai.
Ndryshe UMIB-i, përveç këtij projekti më kompaninë HPC, ka kohë që është pjesë e një projekti të mbështetur nga Holanda për trajtimin e ujërave të zeza. Është një projekt unik, jo vetëm në Kosovë, pjesë e të cilit janë bërë studentët dhe profesorët e UMIB-it