Universiteti “Isa Boletini” bashkëpunon me kompaninë “Ferronikel”
Studentët dhe mësimdhënësit e Universitetit “Isa Boletini” në Mitrovicë, tash e tutje do të mund të shfrytëzojnë kapacitetet e kompanisë “Ferronikel” në Drenas për punën e tyre praktike dhe kërkimore. Kjo është bërë e mundur pas nënshkrimit të një marrëveshje bashkëpunimi ndërmjet Universitetit “Isa Boletini” dhe “Ferronikelit”, të nënshkruar nga rektori, Alush Musaj, dekani i Fakultetit të Gjeoshkencave, Naser Peci si dhe drejtori gjeneral i “Ferronikelit”, Miltiadis Tragakis.
Gjatë vizitës në këtë kompani, rektori Musaj dhe dekani Peci, biseduan me drejtuesit e “Ferronikelit” për rëndësinë që ka për studentët e Gjeoshkencave, bashkëpunimi me ndërmarrjet private dhe ato publike. Ata e vlerësuan gatishmërinë e “Ferronikelit” për mundësinë e ofruar, e cila do të ndikoj pozivitisht për punën praktike dhe kërkimore të studentëve, por edhe mësimdhënësve.
Rektori Musaj, theksoi se janë duke i dhënë rëndësi të posaçme bashkëpunimit me kompanitë private, por edhe ato publike në vend, duke pasur parasysh karakterin teknik të programeve që ofrohen në Universitetin “Isa Boletini” në Mitrovicë, ku pjesa praktike ka një rëndësi të madhe. “Ofrimi i Universitetit me industrinë është një imperativ i kohës, prandaj jemi duke punuar shumë në këtë drejtim”, tha ai.
Universiteti “Isa Boletini”, ka marrëveshje bashkëpunimi me shumicën e ndërmarrjeve publike dhe private në vend, duke bërë të mundur që studentët të kryejnë pjesën praktike.