Universiteti “Isa Boletini” dhe IBCM, si partnerë në projekte të përbashkëta
Rektori i Universitetit Isa Boletini” në Mitrovicë, Alush Musaj, ka vizituar të enjten Kolegjin Ndërkombëtar të Biznesit në Mitrovicë (IBCM), ku është pritur nga drejtori, Brian Staines, me të cilin ka biseduar për mundësitë e bashkëpunimit ndërmjet këtyre dy insitucioneve të arsimit të lartë që veprojnë në të njëjtin qytet. Në këtë kontekst, të dy palët kanë shprehur gatishmërinë që të bashkëpunojnë si partnerë në projekte të ndryshme, të cilat mund të gjejnë mbështetje në fondet vendore dhe ndërkombëtare.
U theksua se mundësitë e shumta që ofrohen në fushën e grandeve ndërkombëtare për universitetet janë shumë të mëdha, prandaj bashkëpunimi ndëruniversitar dhe në këtë rast ndërmjet Universitetit “Isa Boletini” dhe IBCM-së është shumë i nevojshëm. Të dy palët shprehën gatishmërinë për bashkëpunim në këtë drejtim.
Gjithashtu u bisedua edhe për shkëmbinim e përvojave ndërmjet dy insitucioneve. Në këtë kontekst u potencua fusha e ambientit, duke qenë se në të dy insitucionet përkatëse ofrohen programe të kësaj fushe.
Rektori Musaj, e njoftoi drejtorin Staines edhe për punën që po bëhet sa i përket hapjes së një programi në gjuhën angleze në Universitetin “Isa Boletini”, për trajtimin e ujërave. “Është një program specifik që do të përgatis kuadro të kësaj fushe, për të cilat Kosova ka shumë nevojë”, tha ai.