Universiteti “Isa Boletini” në Mitrovicë në top 3 institucionet publike me numër të programeve të akredituara
Universiteti “Isa Boletini” në Mitrovicë (UIBM) është renditur në top 3 institucionet publike të arsimit të lartë sipas numrit të programeve të akredituara. Kjo renditje ka dal në Raportin e Monitorimit të Agjencisë për Akreditim dhe Qendrës për Njohje të Diplomave.
Nga të dhënat e siguruara për vitin 2022 rezulton se top 3 institucionet publike me numër më të madh të programeve të akredituara janë: Universiteti “Hasan Prishtina” në Prishtinë me 138 (50% e totalit), Universiteti “Isa Boletini” në Mitrovicë me 18 (7%) dhe Universiteti “Haxhi Zeka” në Pejë me 17 (6%). Organizata ORCA, e cila ka monitoruar këtu dy institucione publike, i ka prezantuar raportet në një ngjarje për Sigurimin e Cilësisë në Arsimin e Lartë.
Sipas raportit, nga totali i 389 programeve studimore të akredituara, 224 (58%) janë të ofruara nga institucione publike, ndërsa 165 (42%) janë të sektorit privat. Raportet e monitorimit të Agjencisë së Kosovës për Akreditim dhe Qendrës Kombëtare për Njohje dhe Informim Akademik, janë realizuar në kuadër të projektit HEI’25.
Nga 779 diploma ndërkombëtare të cilat janë njohur nga Qendra Kombëtare për Njohje dhe Informim Akademik, 278 (35%) janë me origjinë nga Maqedonia e Veriut, 200 (25%) nga Shqipëria, 122 (15%) nga Turqia, dhe pjesa tjetër nga shtetet evropiane, ShBA dhe lindja e mesme. Ndërkaq tri fushat kryesore të këtyre diplomave janë shkencat mjekësore dhe të sportit me 27%; shkencat sociale, të edukimit dhe humane me 18%; dhe shkencat ekonomike me 13%.
Projekti financohet nga Agjencia Austriake për Zhvillim (ang. ADA) me kontribut të Ministrisë së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MASHTI) dhe Agjencisë së Kosovës për Akreditim (AKA). Deklaratë e mohimit të përgjegjësisë: Këto dokumente janë përpiluar me ndihmë financiare nga Agjencia Austriake për Zhvillim. Pikëpamjet dhe mendimet e shprehura këtu në asnjë mënyrë nuk mund ta pasqyrojnë mendimin zyrtar të Agjencisë Austriake për Zhvillim.
Raportet e plota mund t’i gjeni në: