Universiteti “Isa Boletini” ngritet për 1988 vende në ranglistën botërore
Universiteti “Isa Boletini” ngritet për 1988 vende në ranglistën botërore
Universiteti i Mitrovicës “Isa Boletini”,është ngritur për 1988 vende në ranglistën botërore të universiteteve. Ky rangim është bërë në muajin korrik nga Webometrics, që paraqet ranglistën më gjithëpërfshirëse të vlerësimit të institucioneve të arsimit të lartë në të cilën numri i institucioneve që vlerësohen është rreth 30 mijë.
Që nga vlerësimet e janarit 2017, në këtë ranglistë janë përfshirë edhe institucionet e arsimit të lartë në Kosovë që nuk ishin pjesë e vlerësimeve të mëhershme. Universiteti “Isa Boletini” në nivel vendi është ranguar i pesti, që paraqet një arritje të jashtëzakonshme duke pasur parasysh sfidat me të cilat është përballur.
Rektori Alush Musaj, tha se ngritja për 1988 vende në ranglistën botërore të universiteteve, për një periudhë kaq të shkurtër kohore paraqet një arritje të madhe. “Sivjet kemi shënuar katër vjetorin e themelimit, prandaj kjo arritje në ranglistën botërore na gëzon dhe na motivon edhe më shumë për ngritjen e cilësisë në universitetin tonë”, tha ai.
Ai theksoi se Universiteti “Isa Boletini” ende funksionon në hapësira të “Trepçës”, të cilat as për së afërmi nuk i plotësojnë nevojat dhe kushtet për punë kërkimore dhe shkencore. “Kampusi i ri që është në përfundim do ta ndryshoj gjendjen tërësisht, prandaj edhe sukseset tona do të jenë edhe më të mëdha”.
Ndryshe Webometrics ka filluar të konsiderohet si një nga ranglistat më të rëndësishme botërore sepse ndjek trendet e transformimit të arsimit të lartë me mbështetjen e teknologjisë së komunikimit e informimit. Rangimi sipas Webometrics merr për bazë njohjen e nivelit të mirë të punës shkencore të botuar, si dhe përmbajtjen dhe shpërndarjen e informacionit nga burimet elektronike nga institucionet përkatëse.
Webometrics është ranglistë e grupit hulumtues Cybermetrics Lab, që është pjesë e institucionit më të madh kërkimor publik në Spanjë, Këshillit të lartë për kërkime shkencore (CSIC).
Në top universitetet botërore, listës i prijnë universitetet amerikane, të udhëhequr nga Universiteti i Harvardit, ndërsa më së larti në Evropë është ranguar Universiteti i Oksfordit.