Universiteti “Isa Boletini” përfiton disa projekte në kuadër të programit Erasmus+
Universiteti i Mitrovicës “Isa Boletini” (UMIB), ka fituar disa projekte në kuadër të programit Erasmus+. Rektori, Alush Musaj, tha se këto projekte janë shumë të rëndësishme për studentët, stafin akademik dhe të ardhmen e UMIB-it.
Në partneritet me institucionet vendore dhe ndërkombëtare të arsimit të lartë, UMIB ka fituar projektin “Përmirësimi i Kulturës së Kërkimit në Arsimin e Lartë në Kosovë”, në vlere prej rreth 1 milion euro. Ky projekt do të zgjas rreth 3 vjet dhe është një mundësi e mirë për shkëmbimin e përvojave ndërmjet universiteteve partnere dhe ngritjes se kulturës së kërkimit në institucionet e arsimit të lartë në vend dhe me gjerë.
Projekti tjetër që është zgjedhur për financim në kuadër të programit Erasmus+, ka të bëj me bashkëpunimin ndërkombëtar dhe përmirësimin e menaxhimit të projekteve. Në këtë projekt të zgjedhur për financim UMIB është partner.
Në ndërkohë si partner, Fakulteti Edukimit, ka fituar projektin “Towards a quality oriented initial teacher education in Kosovo”. Ky projekt vlerësohet i një rëndësie të veçantë për Fakultetin e Edukimit, pasi kontribuon drejtpërdrejtë në rritjen e cilësisë së programeve që ofrohen, cilësisë së mësimdhënies dhe cilësisë së përgatitjes së studentëve si mësimdhënës të ardhshëm.