Universiteti “Isa Boletini”, hallkë e rëndësishme e zhvillimit minerar në Kosovë
Një delegacion nga Ministria e Financave e Gjermanisë, GIZ-it dhe Komisionit të Pavarur për Miniera dhe Minerale të Kosovës (KPMM), ka vizituar të martën Universitetin e Mitrovicës “Isa Boletini”, ku janë pritur nga rektori, Alush Musaj si dhe nga dekani i Fakultetit të Gjeoshkencave, Naser Peci. Në takim u bisedua për zhvillimin e sektorit minerar në Kosovë dhe në veçanti për ndërlidhjen e Universitetit të Mitrovicës me këtë sektor.
Rektori, Alush Musaj, i njoftoi mysafirët nga Gjermania për traditën që ka Mitrovica dhe si rrjedhojë tash edhe Universiteti “Isa Boletini” sa i përket edukimit dhe përgatitjes së kuadrove të reja për sektorin minerar. “Shkencat teknike dhe veçmas programet e fushës minerare, kanë një traditë më se 50 vjeçare në Mitrovicë, prandaj kjo na ka ndihmuar që të avancojmë në këtë drejtim dhe të përpiqemi që të jemi në hap me kohën”.
Për detaje të tjera që lidhen me programet minerare që funksionojnë në kuadër të Fakultetit të Gjeoshkencave, foli dekani, Naser Peci “Tani në kuadër të Fakultetit të Gjoshkencave studimet organizohen në tri Departamente: Gjeologji, Xehetari, Materiale dhe Metalurgji. Studimet organizohen në nivelin Bachelor dhe Master, në gjithsejt 8 programe (3 Bachelor dhe 5 Master)”.
Në anën tjetër, dr. Claus Peter Pietras nga Ministria e Financave të Gjermanisë, theksoi se përfshirja e Universitetit në zhvillimin e sektorit minerar është tepër me rëndësi. “Për një zhvillim të qëndrueshëm të këtij sektori, Universiteti duhet të jetë pjesë e të gjitha fazave të punës”, tha ai.
Sipas tij, përvoja gjermane e trajtimit të minierave në lindje të vendit pas viteve ’90, do të mund të ishte e dobishme për Kosovën. “Atje kanë qenë minierat që janë trajtuar nga një sistem komunist dhe për të cilat paraprakisht është dashur të bëhen studime për arsyeshmërinë ekonomike para se të funsionalizohen”.
Ndryshe gjatë vizitës nëpër institucione të ndryshme në Kosovë, delegacioni gjerman ka në fokus sektorin minerar, përkatësisht informimin për sektorin minerar, sfidat dhe perspektivën e këtij sektori si dhe mundësitë e bashkëpunimit në të gjitha fushat, duke përfshirë edhe bashkëpunimin me Universitetin e Mitrovicës.