ENAI

Universiteti “Isa Boletini” pranohet në Rrjetin Europian për Integrim Akademik

Universiteti i Mitrovices “Isa Boletini” është pranuar në Rrjetin Europian për Integrim Akademik (ENAI).  Për këtë ka marrë vendim të mëkurën Bordi i Rrjetit Europian për Integrim Akademik (ENAI), rrjet ky që mbështet nga programi ERASMUS+ i Unionit Europian.

Këshilltari i rektorit, Ylber Januzaj, tha se anëtarësimi në këtë rrjet është shumë i rëndësishëm për Universitetin e Mitrovicës “Isa Boletini”. “Në këtë rrjet ndërkombëtar bëjnë pjesë universitete me renome botërore, prandaj padyshim se ky është një lajm i mirë për Universitetin tonë”, tha ai.

Sipas tij, përfitimet nga ky rrjet janë të shumta. “Bërja pjesë e platformës bashkëpunuese të ENAI-t, e drejta e organizimit të konferencave dhe ngjarjeve të ENAI-t, e drejta e votës së Universitetit në zgjedhjen e bordit të ENAI-t dhe ndikimi i Universitetit në këtë rrjet”.

Poashtu, ai numëron si përfitim edhe përdorimin e konsulentëve, ekspertëve, mentorëve dhe folësve të ENAI-t, mandej informimin mbi mundësitë e granteve në dispozicion, prezencën në aktivitete të përbashkëta edukative dhe trajnuese, përdorimin e  sistemit të vlerësimit të zhvilluar nga ENAI, shfrytëzimin e veglave të dobishme të marketingut, qasjen në burime dhe në programe trajnimi online si dhe pranimin e rregullt të lajmeve të reja mbi fushën akademike.

Januzaj thekson se objektiva kryesore e ENAI-t është promovimi i integritetit në të gjithë fushën akademike.