Universiteti “James Madison” ofron mundësi bashkëpunimi për universitetet kosovare
Universiteti “James Madison” nga Virgjinia ka ofruar mundësi bashkëpunimi me Universitetin “Isa Boletini” në Mitrovicë si dhe me universitetet tjera publike në Kosovë. Kjo gatishmëri u ofrua nga një grup profesorësh nga ky universitet, të cilët u takuan në Mitrovicë me drejtuesit e Universitetit “Isa Boletini” dhe ata të Universitetit “Haxhi Zeka” nga Peja.
Përfaqësues nga të tri universitetet, kanë prezantuar programet që ofrohen në universitetet e tyre dhe kanë trajtuar fushat ku mund të bëhen hapa konkretë sa i përket bashkëpunimit. Gjatë prezantimit u tha se bashkëpunimi mund të nis me shkëmbimin e përvojave ndërmjet universiteteve si dhe shkëmbimin e studentëve dhe mësimdhënësve.
Profesorët nga Amerika janë shoqëruar gjatë gjithë kohës edhe nga Drita Kadriu, drejtoreshë e departamentit të arsimit të lartë në Ministrinë e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë (MASHT). Ajo ka falënderuar profesorët dhe drejtuesit e Universitetit “James Madison”, për gatishmërinë e bashkëpunimit me universitetet kosovare. “Para pak kohësh është nënshkruar një marrëveshje bashkëpunimi nga ministri i MASHT-it me Universitetin “James Madison”, ndërsa tani në kuadër të kësaj marrëveshje po bëhen lëvizje reale”, tha ajo.
Profesori Michael Stoloff nga Universiteti “James Madison”, tha se ata janë shumë të përkushtuar që të gjejnë fusha me interes të përbashkët për bashkëpunim me universitetet kosovare. “Në universitetin tonë ka çdo vit rreth 600 studentë të huaj, në mesin e të cilëve padyshim se mund të ketë edhe studentë nga Kosova”.
Rektori i Universitetit “Isa Boletini” në Mitrovicë, Alush Musaj, tha se gatishmëria e Universitetit “James Madison”, për bashkëpunim duhet të shfrytëzohet në mënyrën më të mirë. “Ne tashmë kemi një përvojë shumë të frytshme të bashkëpunimit ndëruniversitar, prandaj edhe në këtë rast do të angazhohemi që të krijojmë mundësi sa më të mëdha për studentët dhe mësimdhënësit tanë”, tha ai.
Poashtu edhe rektori i Universitetit “Haxhi Zeka” në Pejë, Fadil Millaku, u zotua për angazhim sa i përket këtij projekti me këtë universitet amerikan. “Kemi programe të përafërta, prandaj shpresojmë që së shpejti të nisim bashkëpunimin me këtë universitet”, tha ai.
Pas takimit profesorët nga Amerika, kanë vizituar kampusin e ri universitar në Mitrovicë, i cili pritet të jetë funksional prej fillimit të vitit të ri akademik.