Urimi i rektores, prof.dr. Nurten Deva për Ditën e Flamurit – 28 Nëntorin!
Të nderuar/a,
Vështirë të ndodh që në një datë të vetme të gërshetohen kaq shumë ngjarje historike që ndërlidhen me jetën e një kombi, ashtu siç ka ndodhur me datën 28 nëntor për kombin shqiptar. Duke filluar me 28 Nëntorin e Skënderbeut në vitin 1443, mandej 28 Nëntorin 1912 – Ditën e Flamurit, 28 Nëntorin 1997 – paraqitjen e parë publike të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) dhe 28 Nëntorin 1955 – Ditëlindjen e Komandatit Legjendar të UÇK-së, Adem Jashari, e bëjnë nëntorin muaj të kombit shqiptar.
Si e tillë, kjo datë zgjon ndjenjën kombëtare dhe krenarinë e shqiptarëve kudo që, janë. Kësaj feste që nis nga Kruja, Vlora e Pavarësisë e deri në Prekazin e Adem Jasharit dhe kulla e Isa Boletinit, i bashkohen shqiptarët që jetojnë në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni, Kosovë Lindore, Mal të Zi e diasporë. Në atmosferën e kësaj feste, përkujtojmë bijtë dhe bijat më të mirë të këtij kombi, që sakrifikuan për atdhe jetën e tyre. Përkulemi me respekt para të rënve në përpjekje për të ndërtuar lirinë tonë dhe shtetet që i kemi amanet.
Me këtë rast, më lejoni që në emrin tim personal dhe në emër të Universitetit “Isa Boletini” (UIBM) në Mitrovicë, t’ju uroj studentëve, mësimdhënësve, punëtorëve të administratës në UIBM dhe gjithë popullit shqiptar Festat e Nëntorit. Urime!
Me respekt!
Rektorja
Prof.dr. Nurten Deva