Urimi i rektorit, Alush Musaj, për Festat e Nëntorit
Të nderuar studentë, mësimdhënës dhe punëtorë të administratës në Universitetin e Mitrovicës “Isa Boletini”, më lejoni që në emrin tim personal dhe në emër të Universitetit, t’ju uroj 28 Nëntorin – Ditën e Flamurit. Me këtë rast dua t’ju uroj 28 Nëntorin, këtë datë që shënon tri ngjarje të mëdha historike dhe kombëtare, Ditën e Flamurit, paraqitjen publike të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe ditëlindjen e Komandantit Legjendar, Adem Jashari, të gjithë shqiptarëve kudo që janë.
Ky nëntor për ne që jemi pjesë e Universitetit “Isa Boletini”, ka një kuptim të veçantë, meqë po e shënojmë në kampusin e ri universitar. Kampusi i ri dhe objektet moderne që tashmë janë në dispozicion të studentëve, i japin kuptim sakrificës së gjeneratave të tëra për liri dhe shtet të pavarur.
Ky është moment reflektimi për të gjithë ne, që të përkujtojmë dhe nderojmë të gjithë ata që kanë krijuar momente kaq të veçanta sikur 28 Nëntori, që i kanë dhënë kahje të duhur historisë sonë.