Rektori Musaj

Urimi i rektorit Musaj për 17 Shkurtin – Ditën e Pavarësisë së Kosovës

Të nderuar studentë, mësimdhënës, punëtorë të administratës të Universitetit të Mitrovicës “Isa Boletini” (UMIB) dhe ju qytetarë, më lejoni t’ju uroj 17 Shkurtin – Ditën e Pavarësisë së Kosovës.  Përvjetorët e Republikës së Kosovës, na frymëzojnë për të vazhduar përpara, na forcojnë dhe na bashkojnë.

Sivjet shënojmë 12-vjetorin e Pavarësisë së Kosovës, festojmë të arriturat që janë të shumta në të gjitha sferat e jetës. Më këtë rast përkujtojmë dhe nderojmë gjenerata të tëra, që kanë sakrifikuar dhe nuk janë dorëzuar para sfidave të kohës.

Sfidat e gjeneratave para nesh ishin tepër të rënda,  sakrificat ishin sublime, ndërsa të arriturat madhështore. Republika e Kosovës është ëndërr e realizuar, e cila ka krijuar mundësi të mëdha për ne dhe ka hapur shtigje për të ardhmen. Përkulemi para veprës së të gjithë atyre që kanë dhënë krejt çka kanë pasur për shtetin tonë.

Gjatë përditshmërisë sonë, shpesh ndodh që të lodhemi nga rutina. Ndoshta ndonjëherë harrojmë dhe nuk jemi sa duhet mirënjohës për atë që e kemi dhe që nuk e kishin shumë të tjerë para nesh. Vetëm kur reflektojmë e kuptojmë se sa me fat që jemi.

Ne nuk ka nevojë të sakrifikohemi për liri dhe shtet. Ne ka nevojë të punojmë për prosperitet dhe mirëqenie. T’i shfrytëzojmë përvjetorët e shtetit tonë për energji të reja. Urime!

    Rektori

Prof.dr. Alush Musaj