Urimi i rektorit Musaj për Ditën e Mësuesit
Të nderuar mësimdhënës, më lejoni që në emër timin personal dhe në emër të Universitetit “Isa Boletini” në Mitrovicë, t’ju uroj 7 Marsin – Ditën e Mësuesit. Misioni juaj mbetet i shenjtë, prandaj ju meritoni nderim dhe respekt të përditshëm.
Shkolla shqipe ka qenë strumbullari i lëvizjeve kombëtare. Prej aty kanë nisur dhe janë frymëzuar projektet më madhore të popullit tonë. Historia e shkollës shqipe është e lidhur me historinë e lirisë sonë, prandaj kjo e bën të veçantë këtë festë dhe punën tuaj.
Të nderuar mësimdhënës, tashmë rrethanat janë ndryshe, mirëpo obligimi ynë mbetet i vazhdueshëm që me përkushtim të edukojmë brezat e rinj. Rritja e cilësisë në arsim duhet të jetë prioriteti kryesor i angazhimit tonë si mësimdhënës dhe si shoqëri.
Të na shërbej si katalizator shembulli i gjeneratave të mësimdhënësve që kanë sakrifikuar edhe jetën për arsimin shqip. Të na shërbej 7 Marsi si frymëzim drejt sukseseve të reja. Urime!
Me respekt,
Rektori
Prof. dr. Alush Musaj