Urimi i rektorit, prof.dr. Alush Musaj, me rastin e 60-vjetorit të punës së SHLT-së
Të nderuar mësimdhënës
Të nderuar studentë
Të nderuar punëtorë të administratës në Universitetin “Isa Boletini” në Mitrovicë
Më lejoni që me rastin e 60 – vjetorit të fillimit të punës së Shkollës së Lartë Teknike (SHLT) në Mitrovicë, t’ju uroj të gjithëve këtë përvjetor të rëndësishëm për Universitetin dhe për qytetin tonë. Fillimi i punës së SHLT-së ( 20 tetor 1961), shënon fillimin e epokës së jetës akademike në qytetin e minatorëve.
Me këtë rast dua të shpreh falënderimin më të sinqertë në emrin tim personal dhe në emër të UIBM për të gjithë ata që kanë qenë pjesë e rritës dhe zhvillimit të SHLT-së dhe të jetës akademike në përgjithësi në Mitrovicë. Padyshim se me punën dhe angazhimin e tyre kanë bërë të mundur që Mitrovica të përjetoj një zhvillim të hovshëm në ato vite në të gjitha aspektet, duke pasur parasysh kuadrot e reja që kanë daluar prej SHLT-së.
Emra sikur drejtori i parë i SHLT-së, akademik, Minir Dushi, janë nderi dhe krenaria e jetës akademike në Mitrovicë. Tradita e mirë e trashëguar prej tyre ka bërë që në Mitrovicë jeta akademike të kulmoj me themelimin e Universitetit “Isa Boletini”, që tashmë është konsoliduar në një institucion të respektuar në Kosovë.
Vargu i personaliteteve që kanë qenë pjesë e SHLT-së dhe kanë kontribuar për zhvillimin dhe rritën e saj është i madh, prandaj edhe trashëgimia akademike është e fuqishme duke garantuar rrugëtim të suksesshëm të UIBM. Të frymëzuar prej përkushtimit të tyre vazhdojmë ta zhvillojmë Universitetin tonë, që tashmë ka kampusin më të mirë në rajon, ka staf profesional dhe studentë që me sukseset e tyre po shpërthejnë gjithandej.
Faleminderit dhe urime të gjithë atyre që kanë qenë pjesë e SHLT-së dhe atyre që janë pjesë e UIBM!
Me respekt
Prof.dr. Alush Musaj
Rektor