Urimi i rektorit, prof.dr. Alush Musaj për 17 Shkurtin – Ditën e Pavarësisë së Kosovës
Të nderuar drejtues dhe anëtarë të Këshillit Drejtues
Të nderuar prorektorë, dekanë dhe prodekanë
Të nderuar mësimdhënës dhe punëtorë të administratës
Të dashur studentë të Universitetit “Isa Boletini” në Mitrovicë
Të nderuar qytetarë të Republikës së Kosovës
Më lejoni që në emrin tim personal dhe në emër të Universitetit “Isa Boletini” në Mitrovicë, t’ju uroj 17 Shkurtin – Ditën e Pavarësisë së Republikës së Kosovës. Kjo festë sublimon përpjekjet tona shekullore për jetë të lirë dhe shtet të pavarur e sovran, duke na bërë krenar neve dhe fëmijët tanë.
Derisa kremtojmë 14-vjetorin e Shpalljes së Pavarësisë së Kosovës, na mendje na vijnë krejt ato gjenerata, që kanë sakrifikuar për këtë ditë dhe që nuk janë në mesin tonë. Në mendje na vijnë ata që kanë rënë me idenë e lirisë dhe shtetit të pavarur për brezat e rinj. Ata e kanë nderimin e përjetshëm, ndërsa neve na mbetet amanet i përhershëm forcimi i këtij shteti.
Kanë kaluar vetëm 14-vjet prej atij momenti, kur vendi ynë e shpalli pavarësinë, që paraqet një kohë shumë të shkurtër për një shtet. Megjithatë nëse reflektojmë pozitivisht, përkundër sfidave që e kanë ndjekur vendin tonë, shohim një ndryshim të madh. Përditë po mësohemi se jemi të lirë si njerëz dhe të pavarur si shtet, përditë po mësohemi se shteti do përkushtim, andaj edhe ndjejmë obligim që t’i kryejmë me nder dhe kënaqësi obligimet që kemi.
Kosova e pavarur na jep energji dhe entuziazëm, që secili prej nesh, në vendin dhe pozitën ku është i angazhuar, të kontribuoj sa të ketë mundësi për të mirë e këtij vendi. Përveç se përgjegjësi kjo patjetër se është edhe privilegj. Urime!
Prof.dr.Alush Musaj
Rektor i Universitetit “Isa Boletini”, Mitrovicë