Urimi i rektorit, prof.dr.Alush Musaj për Vitin e Ri 2021
Të nderuar studentë
Të nderuar mësimdhënës
Të nderuar punëtorë të administratës së Universitetit “Isa Boletini” në Mitrovicë
Po e përmbyllim një vit tepër sfidues si pasojë e rrethanave të krijuara nga pandemia me Covid – 19, që e ka përfshirë gjithë globin. Bota u sfidua, por nuk u dorëzua. Nuk u dorëzuam as ne, duke ju përshtatur kushteve të reja. U organizuam shpejtë si Universitet, për ta vazhduar procesin mësimor. U përshtatem të gjithë, prej studentëve, mësimdhënësve e administratës.
Rrugëtuam bashkërisht dhe me sukses sikur nëpër tehun e shpatës. Në ndërkohë me përkushtim dhe energji të madhe u përgatitëm dhe kaluam me sukses procesin e riakreditimit institucional. Krejt në fund të vitit lajmi tjetër i mirë ishte edhe miratimi i Statutit të Universitetit “Isa Boletini” në Mitrovicë.
Të nderuar, me përkushtimin dhe angazhimin tuaj ia dolëm që një vit që dukej i humbur për të gjithë ta shndërrojmë në rrëfim suksesi. Ju falënderoj secilin prej jush veç e veç për kontributin tuaj. Po hyjmë në vitin 2021 me shpresë dhe bindje se bota po e fiton betejën me pandeminë. Po hyjmë me bindje për të vazhduar sukseset tona si Universitet. Në fund më lejoni që t’ju uroj Vitin e Ri 2021, t’ju uroj për shëndet dhe mirëqenie së bashku me familjet tuaja. Gëzuar!
Rektori
Prof.dr.Alush Musaj