Urimi i rektorit Musaj për 10-vjetorin e Pavarësisë së Kosovës
Të nderuar studentë, mësimdhënës, punëtorë të administratës dhe gjithë ju qytetarë të Kosovës, më lejoni që në emër timin personal dhe në emër të Universitetit të Mitrovicës “Isa Boletini”, t’ju uroj 10-vjetorin e Pavarësisë së Kosovës. Është një jubile i një ngjarje të madhe, të një ngjarje historike për gjithë shqiptarët kudo që janë, që duhet të nderohet dhe respektohet përjetë.
Pavarësia e Kosovës i ka dhënë kuptim sakrificës së gjeneratave të tëra që kanë punuar e vepruar për këtë qëllim. Pavarësia e Kosovës i ka dhënë kuptim Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe gjakut të derdhur të dëshmorëve. Pavarësia e Kosovës i ka dhënë kuptim jetës sonë, prandaj e kemi amanet ta ruajmë si gjënë më të shtrenjtë.
Për 10 vjet ndryshimi është i madh. Ne të gjithë kemi ndryshuar. Nuk ka ndryshuar vetëm nevoja që ka shteti ynë për ta dashur dhe forcuar përditë e më tepër. Dhe mënyra më e mirë për ta bërë këtë është që secili prej nesh të jetë i përgjegjshëm në detyrat që ka.
Të arriturat tona, qoftë në arsim, qoftë në shkencë, në sport, në biznes dhe në të gjitha fushat e jetës, e forcojnë shtetin tonë. Shteti i fortë na bën edhe ne të fortë, prandaj ta ruajmë e forcojmë Republikën e Kosovës. Urime!
Mitrovicë, 16 shkurt 2018
Rektori i Universitetit “Isa Boletini” në Mitrovicë
Prof.asoc.dr.Alush Musaj