Juridiku

Vazhdon procesi për ri-akreditimin e programeve

Në kuadër të procesit të riakreditimit dhe akreditimit të programeve në Universitetin “Isa Boletini” në Mitrovicë (UIBM), të hënën janë zhvilluar takimet online me ekspertët për programet në Fakultetin Juridik, Ekonomik dhe atë të Edukimit. Në Fakultetin Ekonomik është një program i ri në nivelin master për të cilin është aplikuar në procesin e akreditimit. Është fjala për programin Biznes dhe Menaxhment  me specializime: 1. Banka, Financa dhe Kontabilitet, 2.Menaxhment dhe Ndërmarrësi dhe 3. Menaxhment Industrial. Ndërsa procesit të riakreditimit iu kanë nështruar edhe Programi Juridik në Fakultetin Juridik dhe Programi Fillor në Fakultetin e Edukimit.

Zyrtari i lartë për Cilësi në UIBM, Elvis Feka, tha se në përgjithësi procesi ka rrjedhur mirë. Sipas tij, procesit të riakreditimit dhe akreditimit iu kanë nënshtruar gjithsej 20 programe në UIBM.

Paraprakisht ekspertëve ndërkombëtarë, të cilët për shkak të pandemisë takimet i zhvillojnë virtualisht, u është dërguar një videoxhirim i kampusit, sallave, kabineteve etj, ku zhvillohet procesi mësimor. Takimet vazhdimisht janë monitoruar nga zyrtarët e Agjencisë Kosovare për Akreditim (AKA), ndërsa të hënën ka qenë i pranishëm edhe vetë drejtori i AKA-së, Naim Gashi.

Juridiku