
Vizitë studimore në Gjykatën Themelore në Prishtinë – Departamenti Special
Me ftesë të gjyqtarit të Departamentit Special në Gjykatën Themelore në Prishtinë dhe njëherazi anëtar i Trupit Këshillues të Fakultetit Juridik, z. Vesel Ismajli, sot studentët e Fakultetit Juridik, të udhëhequr nga stafi akademik i së drejtës penale – Prof. Asoc. Dr. Islam Qerimi, Dekan, dhe asistenti LL.M. Xhemajl Veliqi, PhD (c), morën pjesë në një vizitë studimore në këtë institucion.
Gjatë kësaj vizite, studentët patën mundësinë të ndjekin një seancë gjyqësore të trajtimit të një rasti penal mbi krimet e luftës, të lidhur me Masakrën e Burgut të Dubravës. Kjo masakër, e cila ndodhi në periudhën 19-24 maj 1999, gjatë Luftës së Kosovës, shkaktoi vrasjen e të paktën 99 të burgosurve shqiptarë dhe plagosjen e rreth 200 të tjerëve. Në seancë, dëshmitarët, që ishin gjithashtu viktima të kësaj masakre, dhanë dëshmi të rëndësishme për ndriçimin e rastit. Për shkak të kompleksitetit të veprës, procesi gjyqësor për mbledhjen e provave do të vazhdojë edhe në seancat e ardhshme.
Gjatë qëndrimit në Gjykatën Themelore, Dekani i Fakultetit Juridik, Prof. Asoc. Dr. Islam Qerimi, shprehu mirënjohjen për bashkëpunimin e vazhdueshëm midis Fakultetit dhe Trupit Këshillues të Gjykatës. Me këtë rast, u ndanë mirënjohje për kontributin dhe mbështetjen profesionale:
- Gjyqtarit të Departamentit Special, z. Vesel Ismajli,
- Prokurorit të Prokurorisë Themelore në Prishtinë, z. Fatmir Behrami,
- Avokatit Besim Parduzi.
Kjo vizitë studimore shënon një hap të rëndësishëm në fuqizimin e lidhjeve ndërmjet arsimit të lartë dhe praktikës gjyqësore, duke iu mundësuar studentëve të përfitojnë njohuri dhe përvojë të drejtpërdrejtë nga sistemi i drejtësisë.