
Vizitë zyrtare e Dekanit të Fakultetit Juridik, prof. dr. Islam Qerimi, në Fakultetin Juridik të Universitetit Aristoteles në Selanik
Me ftesë të dekanit të Fakultetit Juridik të Universitetit Aristoteles të Selanikut, Prof. dr. Panagiotis Glavinis, dekani i Fakultetit Juridik të Universitetit “Isa Boletini” në Mitrovicë, prof. dr. Islam Qerimi, realizoi një vizitë zyrtare në këtë institucion të njohur akademik grek. Në këtë vizitë, dekani Qerimi u shoqërua nga Prof. dr. Haki Demolli, profesor i Fakultetit Juridik të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”.
Delegacioni nga Kosova u prit ngrohtësisht nga dekani Glavinis, menaxhmenti, stafi akademik dhe administrativ i Fakultetit Juridik të Universitetit Aristoteles. Takimi u zhvillua në një atmosferë jashtëzakonisht miqësore dhe konstruktive, ku u theksua vullneti i ndërsjellë për forcimin e bashkëpunimit akademik ndërmjet dy institucioneve.
Gjatë vizitës, u diskutua për format konkrete të implementimit të memorandumit të bashkëpunimit i cili tashmë ka hyrë në fuqi. Një ndër rezultatet konkrete të këtij bashkëpunimi ishte dhurimi nga Fakulteti Juridik i Selanikut, respektivisht Profesori Angelos Kornilakis i një koleksioni të pasur të teksteve universitare nga fusha e së drejtës civile për bibliotekën e Fakultetit Juridik në Mitrovicë.
Gjithashtu, u arrit marrëveshja për realizimin e shkëmbimeve akademike, duke filluar nga semestri i ardhshëm, ku parashihet angazhimi reciprok i stafit akademik në ligjërata dhe hulumtime të përbashkëta. Fakulteti Juridik i Selanikut do të mbështesë Fakultetin Juridik në mënyrë të posaçme me njohuritë më të reja nga fusha e intelegjencës artificiale! Palët diskutuan edhe për mundësitë e bashkëpunimit në projekte dypalëshe, rajonale dhe evropiane, me fokus të veçantë në programet arsimore dhe kërkimore që mbështeten nga Bashkimi Evropian.
Një tjetër pikë e rëndësishme e takimit ishte dakordimi që studentët e ciklit baçelor të Fakultetit Juridik të Universitetit “Isa Boletini” të kenë mundësi të aplikojnë për vazhdimin e studimeve pasdiplomike në Fakultetin Juridik të Universitetit Aristoteles, me të drejtë për përfitime dhe lehtësime të veçanta.
Gjatë kësaj vizite, delegacioni nga Kosova pati mundësinë të njihet nga afër me ambientet moderne të Fakultetit në Selanik, përfshirë kabinetet e profesorëve, sallat e ligjëratave, amfiteatrin e studentëve, institutet kërkimore, si dhe bibliotekën. Një vëmendje e veçantë iu kushtua prezantimit të infrastrukturës teknologjike të avancuar që përdoret në funksion të përmirësimit të cilësisë së procesit mësimor.
Vizita e dekanit Qerimi në Selanik përbën një hap të rëndësishëm drejt zgjerimit të bashkëpunimit ndërinstitucional dhe ndërkombëtarizimit të Fakultetit Juridik të Universitetit “Isa Boletini” në Mitrovicë, duke krijuar mundësi të reja për studentët dhe stafin akademik në fushën e arsimit juridik dhe kërkimit shkencor.