Jurii

 Vlerësimi i Zbatimit të Rekomandimeve për Përmirësimin e Programit Juridik në UIBM

Në takimin e mbajtur sot në Fakultetin Juridik të UIBM-it u bë vlerësimi i zbatimit të rekomandimeve sipas planit të përmirësimit të programit juridik në nivelin bachelor. Në këtë proces ishin të angazhuar ekspertë vendorë dhe të jashtëm. Nga Agjencia e Kosovës për Akreditim mori pjesë, Arianit Krasniqi, ndërsa si eksperte e jashtme ishte e pranishme Doc. Dr. Sc. Dunja Duić nga Universiteti i Osijekut.

Takimi u zhvillua në një atmosferë profesionale dhe konstruktive. Fillimisht, menaxhmenti i Fakultetit Juridik prezantoi ecurinë dhe rezultatet e deritanishme të implementimit të rekomandimeve sipas planit të përmirësimit. Më pas, në fazën e dytë, fjalën e morën përfaqësuesit e stafit akademik, administrativ dhe Zyra për Cilësi e UIBM-it.

Në fazën e tretë u shqyrtua zbatimi i rekomandimeve në lidhje me infrastrukturën teknologjike dhe digjitale, si dhe krijimi i sallave për grupe të veçanta dhe gjykime të simuluara. Gjithashtu, ekspertët zhvilluan një vizitë të veçantë në bibliotekën e fakultetit, ku u informuan nga stafi përgjegjës për përmirësimet dhe arritjet e fundit në këtë sektor.

Nga vlerësimet paraprake, u konstatua se ekspertët ishin të kënaqur me progresin e bërë deri më tani në implementimin e rekomandimeve të planifikuara për periudhën 1 tetor 2024 – 31 janar 2025. Gjatë takimit, ekspertët e jashtëm u informuan në detaje mbi hapat e ndërmarrë për realizimin e plotë të rekomandimeve të tyre.

Në përfundim, dekani Prof. Dr. Qerimi përgëzoi menaxhmentin, stafin akademik dhe administrativ, studentët dhe të gjithë kontribuuesit e tjerë për angazhimin e tyre në këtë proces të rëndësishëm për përmirësimin dhe rritjen e cilësisë së Fakultetit Juridik.

Top of Form

 

Bottom of Form