Miranda Baruti studimet Bachelor i mbaroi në Universitetin e Mitrovicës “Isa Boletini” dhe i përket gjeneratës së parë të studentëve në Fakultetin e Edukimit, Drejtimi Fillor.
Si e vogël Miranda gjithmonë e ka pëlqyer punën me fëmijë, kështu ka besuar se Universiteti i Mitrovicës “Isa Boletini” ia jep përgatitjen profesionale, etike dhe pedagogjike në punën me ta dhe për këtë arsye zgjodhi të studionte në Universitetin e Mitrovicës “Isa Boletini”. Ajo njëkohësisht përfundoi edhe studimet bachelor në Kolegjin Heimerer, specializimi Logopedi, dhe tregon se njohuritë e marra nga profesorët e Universitetit të Mitrovicës “Isa Boletini” ia dhanë përgatitjen adekuate dhe të mirëfillte e cila i ndihmoi në këto studime. Për Mirandën UMIB ka qenë forca kryesore shtytëse që të merret vazhdimisht me hulumtime duke prekur pika të ndryshme të zhvillimit të fëmijëve që nga moshat më të hershme deri në mosha më të mëdha. Kështu, ajo vazhdon të merrë pjesë në një numër të madh të Konferencave si nga fusha e edukimit gjithashtu edhe në fushën shëndetësore e pedagogjike.
Aktualisht, Miranda është në përfundim të studimeve master në Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina”, drejtimi Edukim Inkluziv.
Miranda është njëra nga ideatoret e aplikacionit FOL, aplikacion i cili është krijuar për telefonat e mençur të tipit Android dhe IOS për fëmijët me çrregullime të artikulimit dhe i ndihmon ata që ta zhvillojnë të folurit në kushtet shtëpiake.
Pas përfundimit të studimeve bachelor në Universitetin e Mitrovicës “Isa Boletini”, Miranda një vit ka punuar (e angazhuar) në Shkollën Fillore të Mesme të Ulët “7 Marsi” në Prishtinë, ndërsa tani është e punësuar në SH.F.M.U “Pjetër Bogdani” në Prishtinë.
Miranda thotë se: Mësimdhënia është një profesion i shenjtë, ku çdo individi që i jepet e drejta për të studiuar dhe punuar në këtë drejtim, duhet të punoj me pasionin më të madh të mundshëm. Kjo pasi fëmijët janë e ardhmja e vendit tonë dhe ndryshimet e mira të shtetit fillojnë nga edukimi dhe arsimimi i drejtë i fëmijëve.