Edona Haxhimehmeti, shembull i zhvillimit profesional
Edona Haxhimehmeti, ish-studente e Fakultetit të Edukimit (Programi Fillor) në Universitetin “Isa Boletini” në Mitrovicë (UIBM), përfaqëson një shembull të shkëlqyer të zhvillimit profesional dhe përkushtimit ndaj edukimit. Gjatë studimeve universitare, Edona spikati jo vetëm për arritjet akademike, por edhe për angazhimin e thellë në jetën studentore dhe në proceset institucionale të universitetit. Ajo ishte pjesë aktive e strukturave përfaqësuese studentore, ku dha një kontribut të rëndësishëm në vendimmarrje, organizimin e konferencave, përgatitjen e dokumenteve strategjike dhe zhvillimin e iniciativave që synonin përmirësimin e përvojës studentore në UIBM.
Këto përvoja e ndihmuan të zhvillojë një sërë aftësish të rëndësishme si lidershipi, komunikimi efektiv, menaxhimi i kohës dhe puna në ekip – kompetenca që e përgatitën atë për sfidat e tregut të punës dhe rolin e mësimdhënëses së përkushtuar. Paralelisht, ajo u pajisë me njohuri të thelluara në fushat kyçe të edukimit si psikologjia e zhvillimit të fëmijës, metodologjitë bashkëkohore të mësimdhënies, menaxhimi i klasës dhe planifikimi kurrikular, duke u formuar profesionalisht në mënyrë gjithëpërfshirëse.
“Gjatë studimeve në UIBM, nuk u përgatita vetëm për të dhënë mësim, por për të udhëhequr me zemër, përkushtim dhe kompetencë. Kjo përvojë më formoi si profesioniste që e kupton rëndësinë e çdo fëmije dhe që punon çdo ditë për të ndikuar pozitivisht në rrugëtimin e tyre arsimor e jetësor. Besoj se mësimdhënia është shumë më tepër se një profesion – është përgjegjësi ndaj së ardhmes, ndaj brezave që kemi përpara dhe shoqërisë që duam të ndërtojmë”, thotë ajo.
Pas përfundimit të studimeve, Edona nisi rrugëtimin e saj profesional si mësimdhënëse në shkollën “Mehmet Akif” në Lipjan. Aktualisht, ajo është pjesë e stafit pedagogjik në ShMU “Sefedin Smakolli” në Mitrovicë, ku ushtron profesionin me përkushtim dhe pasion.
Ajo e cilëson përvojën universitare në UIBM si themel të pathyeshëm të formimit të saj profesional dhe personal. Sipas saj, arsimi i përfituar në këtë institucion jo vetëm që i dha njohuritë teorike të nevojshme, por edhe e forcoi ndjenjën e përgjegjësisë dhe vizionin për të ndikuar pozitivisht në jetën dhe të ardhmen e nxënësve të saj.
