Valmir Haxhaj, menaxher i prodhimit në industrinë e përpunimit të drurit
Valmir Haxhaj është një shembull frymëzues i suksesit profesional që ndërtohet mbi bazat e forta akademike të vendosura në Universitetin “Isa Boletini” në Mitrovicë (UIBM). Ai përfundoi studimet baçelor në vitin 2015 në Fakultetin e Inxhinierisë Mekanike dhe Kompjuterike, duke fituar titullin “Bachelor i Makinerisë Industriale”. Gjatë studimeve, Valmiri shfaqi interes dhe përkushtim të veçantë ndaj teknologjisë së prodhimit dhe veçanërisht ndaj makinave CNC – njohuri të cilat do të rezultonin vendimtare për rrugëtimin e tij profesional.
Në të njëjtin vit, ai regjistroi studimet në nivelin master në programin Teknologji Prodhuese – Profili i Prerjes. Ndërkohë që përfundonte vitin e parë të ligjëratave, më 14 korrik 2016, Valmiri filloi karrierën e tij profesionale pranë kompanisë TIKI Sh.P.K., fillimisht si operator në makinat CNC. Në këtë pozitë, ai ishte përgjegjës për programimin dhe realizimin e proceseve të shpimit dhe frezimit në një makinë CNC me 5-aksiale.
Ai thekson se baza teorike dhe praktike që kishte fituar në laboratorët e UIBM, ku kishte punuar me makina CNC frezuese, i ndihmoi shumë për të kuptuar dhe aplikuar me lehtësi punën komplekse që kërkon teknologjia CNC në industrinë e përpunimit. Pas disa vitesh përvoje, në vitin 2019, Valmiri u emërua Menaxher i Prodhimit në të njëjtën kompani – pozitë që e mban edhe sot. Në këtë rol, ai është përgjegjës për organizimin e punës, mbikëqyrjen dhe përcjelljen e projekteve, duke kontribuar direkt në optimizimin e proceseve prodhuese të ndërlidhura me përpunimin e drurit dhe materialeve të ngjashme.
Në vitin 2024, ai përmbylli me sukses edhe studimet master, duke mbrojtur temën:
“Optimizimi dhe zhvillimi i proceseve për përpunimin e drurit në makinat shpuse dhe frezuese CNC”. Në kuadër të kësaj pune kërkimore, Valmiri realizoi një hulumtim të detajuar mbi regjimet e prerjes në materialin MDF (mediapan), duke arritur të identifikojë shpejtësinë optimale për përpunimin efikas të këtij materiali në makinat CNC.
Me këtë arritje, ai fitoi titullin “Master i Shkencave në Teknologji Prodhuese” – Profili i Prerjes në Fakultetin e Inxhinierisë Mekanike dhe Kompjuterike, duke përmbyllur një kapitull të rëndësishëm akademik, të lidhur ngushtë me punën e tij praktike dhe inovacionin në industrinë e përpunimit të drurit. “UIBM më dha themelet që më ndihmuan të kuptoj dhe të avancoj me sukses në fushën time. Laboratorët dhe mësimi praktik ishin çelësi për një tranzicion të lehtë nga teoria në praktikë”, thotë ai.
