U mbajt mbledhja VII e Senatit

Senati i Universitetit të Mitrovicës “Isa Boletini”, ka mbajtur të enjten mbledhjen VII, ku janë shqyrtuar shtatë pika të rendit të ditës. Pas miratimit të  ekstraktit të procesverbalit të mbledhjes VI Senatit, të mbajtur më 23.10.2015, pika e dytë e rendit të ditës ka qenë verifikimi i mandati të anëtarëve të rinj të Senatit: Aziz Behrami, u verifikua senator nga radhët e stafit akademik të Fakultetit të Teknologjisë Ushqimore, ndërsa Fitim Zeqiri për shkak të mungesës së tij, mbeti të verifikohet në një mbledhje tjetër senator nga radhët e stafit akademik të Fakultetit të Inxhinierisë Mekanike dhe Kompjuterike.

Pikë tjetër e rendit të ditës ishte edhe zgjedhja e anëtarit të Këshillit Drejtues nga radhët e stafit akademik, me ç’rast senatorët morën vendim që anëtar i ri i KD-së, të jetë Prof. Dr, Avdi Salihu. Në vazhdim janë shqyrtuar dhe miratuar propozimet e Komisionit të Studimeve lidhur me publikimin e referateve të publikuara në buletinet; 3, 4, 5, dhe 6 për zgjedhjen e personelit akademik.

Në këtë mbledhje të Senatit u shqyrtua edhe marrja e vendimit lidhur me kërkesën e FIMK-ut për mosaktivizim të programit studimor të Makinerisë Prodhuese, profil i Deformimit. Kjo pikë e rendit të ditës ka kaluar, ndërsa ka mbetur në një mbledhje tjetër shqyrtimi dhe marrja e vendimit lidhur me kërkesën e FGJ-së për krahasueshmërinë dhe barasvlerën e diplomave dhe programeve studimore para sistemit të Bolonjës.

Senatorët shqyrtuan dhe morën vendim për emërimin e një Komisioni profesional për hartimin e Rregullores për doktorata në UMIB.