FTU Dhe FSHN

FTU-ja bashkëpunon me FSHN e Universitetit të Tiranës

Fakulteti i Teknologjisë Ushqimore (FTU) në Universitetin e Mitrovicës “Isa Boletini” (UMIB), do të bashkëpunoj me Fakultetin e Shkencave të Natyrës (FSHN) në Universitetin e Tiranës (UT), në dobi të zhvillimit të mësimit dhe kërkimit shkencor. Për këtë qëllim u nënshkrua edhe një marrëveshje bashkëpunimi nga dekani i FTU-së, Milaim Sadiku dhe dekani i FSHN-së, Spiro Drushku.

Dekani Sadiku, falënderoi homologun e tij për vizitën dhe tha se kjo marrëveshje synon realizimin e bashkëpunimit ndërmjet dy institucione në fushën akademike (mësimdhënies) dhe atë të kërkimit shkencor. “Planifikojmë të bashkëpunojmë në fushën e zhvillimit të aktiviteteve të lidhura me shkëmbimin e stafeve akademike, kërkuesve dhe studentëve. Ky bashkëpunim mund të konkretizohet në të gjitha fushat dhe disiplinat me interes të përbashkët”, tha ai.

Ndërsa dekani i FSHN-së, Spiro Drushku, theksoi se rritja e ndërveprimit akademik ndërmjet universiteteve shqiptare është si promotor i zhvillimit shumëdimensional të kombit. Sipas tij, në kuadër të marrëveshjes palët angazhohen në shkëmbimin reciprok të risive, stafeve akademike, teksteve mësimore, publikimeve, materialeve të tjera kërkimore, dokumentacionit etj.

Kjo marrëveshje është e vlefshme për një periudhë pesë vjeçare.