Historiku i Universitetit “Isa Boletini” në Mitrovicë
Universiteti “Isa Boletini” në Mitrovicë (UIBM) është themeluar me Vendim të Qeverisë së Republikës së Kosovës Nr. 01/118, të datës 06.03.2013, dhe është ratifikuar nga Kuvendi i Republikës së Kosovës me Vendimin Nr. 04–V–620, të datës 30.05.2013. Ky vendim përveç që e shndërroi Mitrovicën në qytet universitar, ishte edhe një hap strategjik në aspektin kombëtar, duke pasur parasysh situatën politike dhe ekonomike në këtë qytet. Gjithsesi kjo ishte edhe një ambicie dhe kërkesë e kamotshme e personaliteteve të shquara të lidhura me jetën akademike në Mitrovicë.
Universiteti “Isa Boletini” në Mitrovicë u konsolidua shumë shpejt, duke pasur parasysh traditën akademike në qytetin e minatorëve prej vitit 1961, kur ishte themeluar Shkolla e Lartë Teknike (SHLT) dhe mandej Fakulteti i Xehetarisë dhe Metalurgjisë (FXM) në vitin 1974. UIBM ishte kulmim i një tradite gjysmëshekullore të funksionimit të institucioneve të arsimit të lartë, nëpër të cilat kishin kaluar qindra e mijëra studentë nga të gjitha trevat shqiptare, por edhe nga jashtë.
Në momentin që u mor vendimi për themelim, në Mitrovicë ishin duke funksionuar Fakulteti i Shkencave të Aplikuara dhe Fakulteti i Gjeoshkencave dhe Teknologjisë dhe Metalurgjisë. Ndërkohë në hapësirat e objektit të Kompleksit “Trepça”, ku punonin këto dy fakultete, ishin hapur edhe tri degë të tri fakulteteve të tjera të Universitetit të Prishtinës: Edukim, Juridik dhe Ekonomik.
Në bazë të Statutit të miratuar nga Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, në kuadër të Universitetit “Isa Boletini” në Mitrovicë (UIBM), u themeluan gjashtë fakultete: Fakulteti i Gjeoshkencave (FGJT), Fakulteti i Teknologjisë Ushqimore (FTU), Fakulteti i Inxhinierisë Mekanike dhe Kompjuterike (FIMK), Fakulteti Juridik (FJ), Fakulteti Ekonomik (FE) dhe Fakulteti i Edukimit (FED).
