Zyrtarë të Ministrisë së Financave dhe Bankës Evropiane për Investime vizituan UMIB-in
Zyrtarë nga Ministria e Financave dhe Banka Evropiane për Investime kanë qëndruar në Universitetin e Mitrovicës “Isa Boletini” (UMIB), ku janë interesuar për nevojat sa i përket investimeve kapitale brenda kampusit universitar. Ata janë pritur në takim nga prorektorja për Buxhet dhe Financa, Ajtene Avdullahi dhe prorektori për Bashkëpunim Ndërkombëtar dhe Kërkime Shkencore, Behxhet Shala, të cilët i kanë njoftuar me projektet kapitale që planifikohen në të ardhmen.
Prorektorja Avdullahi, tha se brenda kampusit universitar janë bërë investime të mëdha, që kanë krijuar kushte shumë të mira pune për studentë dhe mësimdhënës. Ajo shtroi si nevojë investimet që kanë të bëjnë me hapësirat për sport dhe rekreacion, që janë kërkuar edhe nga ekspertët për akreditim.
Sipas saj, investimi në objekte sportive brenda kampusit është tepër me rëndësi dhe i domosdoshëm për të ardhmen e Universitetit. “Mbështetja juaj për këto projekte do t’i jepte formën përfundimtare kampusit universitar në Mitrovicë”, tha ajo, duke falënderuar zyrtarët e Ministrisë së Financave dhe ata të Bankës Evropiane për Investime për interesimin e tyre.