Rektori Musaj

Urimi i rektorit, prof.dr. Alush Musaj, për 8-vjetorin e themelimit të UIBM

Të nderuar studentë

Të nderuar mësimdhënës

Të nderuar punëtorë të administratës

Të nderuar qytetarë

Më lejoni që me rastin e 8-vjetorit të themelimit të Universitetit “Isa Boletini” në Mitrovicë  (UIBM), t’ju uroj këtë përvjetor dhe të shpreh respektin më të sinqertë ndaj jush. Pas 8 vjetësh tashmë duket një histori e tërë rrugëtimi nëpër sfida dhe suksese.

Kampusi universitar që kemi tani në Mitrovicë, para 8 vjetësh dukej vetëm një ëndërr  e mirë. Tashmë është realitet dhe për këtë i jemi mirënjohës të gjithë atyre që kanë qenë pjesë e rrugëtimit tonë të përbashkët.

Jeta akademike në Mitrovicë ka pasur një rrugë të vështirë, por vendosmëria dhe dashuria e njerëzve të këtij vendi për dijen ka qenë i pathyeshëm. Sivjet mbushen plotë 60 vjet të jetës akademike në Mitrovicë, prandaj me këtë rast shprehim respektin më të thellë për punën dhe angazhimin e të gjithë atyre që kanë qenë pjesë e këtij rrugëtimi.

Kjo histori suksesi dhe sakrifice është një motiv i jashtëzakonshëm për të gjithë ne që jemi pjesë e Universitetit “Isa Boletini”në Mitrovicë. Riakreditimi institucional për 3 vjet dhe miratimi i statutit të UIBM, janë vetëm dy nga lajmet e mira të kohës së fundit, pa harruar konferencat shkencore, projektet dhe bashkëpunimin me universitete dhe organizata e kompani vendore dhe ndërkombëtare.

Përvjetori i UIBM përkon edhe me një moment të veçantë të historisë sonë të re, siç është Epopeja e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Ne festojmë duke përkujtuar sakrificën dhe lavdinë e komandantit, Adem Jashari dhe gjithë të rënëve për liri. Ata janë flakadanë që mbajnë të ndriçuar rrugën tonë.

Në këtë dritë, na gëzon suksesi i studentëve tanë, që janë dalluar në studime, që kanë fituar në gara, që janë bërë pjesë e projekteve ndërkombëtare etj, duke krijuar një imazh të mirë për Universitetin tonë.  Gjithashtu na gëzojnë ish-studentët tanë që tashmë janë pjesë e ndërmarrjeve publike dhe kompanive private.

Në këtë përvjetor dua të shpreh respektin dhe nderimin më të thellë edhe për ish-mësimdhënësit që nuk janë më në mesin tonë: Prof.dr. Mursel Rama, Prof.dr.Shefqet Ibrahimi dhe Prof.dr.Afrim Dushi.

Dhe krejt në fund, më lejoni që t’ju falënderoj secilit prej jush për kontributin tuaj në suksesin tonë të përbashkët. Faleminderit!

Me respekt

Rektori

Prof.dr.Alush Musaj