Dy mësimdhënës dhe tre studentë përfitojnë bursa për studime jashtë vendit
Dy mësimdhënës dhe tre studentë të Universitetit të Mitrovicës “Isa Boletini” (UMIB), kanë përfituar bursa për të studiuar në universitete të ndryshme evropiane. Këto bursa janë përfituar në kuadër të projektit ErasmusPlus, në të cilin UMIB-i është partner.
Mësimdhënësja, Edita Bekteshi, ka përfituar bursë për studime post-doktorate në Universitetin e Portos në Portugali, ndërsa mësimdhënësi, Rifat Morina, ka përfituar bursë për studime post-doktorate në Spanjë.
Ndërsa studentët, Albulena Zhara, Lorikë Salihu dhe Hasan Cena, kanë përfituar bursa për studime në nivelin master në Universitetin e Sofjes në Bullgari. Të tre këta janë studentë të Fakultetit të Teknologjisë Ushqimore (FTU).
Rektori i UMIB-it, Alush Musaj, i ka pritur në zyrë përfituesit e bursave, të cilëve ju ka uruar suksese në studimet e mëtejme. Ai ka shfaqur gëzimin që mësimdhënës dhe studentët të UMIB-it për çdo vit e më shumë janë duke arritur të bëhen pjesë e universiteteve të mëdha ndërkombëtare.
Në kuadër të bashkëpunimit ndërkombëtar, mësimdhënës dhe studentë të UMIB-it, janë duke shfrytëzuar mundësitë e mëdha që po ofrohen për avancimin e tyre profesional.