Konferenca e Katërt Ndërkombëtare Multidiciplinare për Gjeoshkencë (IMGC2022) do të mbahet më 13 dhe 14 tetor 2022
Këshilli Organizativ për Konferencën Ndërkombëtare Multidiciplinare për Gjeoshkencë (IMGC2022) në Universitetin “Isa Boletini” në Mitrovicë (UIBM), në mbledhjen e mbajtur më 7 mars 2022 në UIBM, vendosi që edicioni i katërt i kësaj konference të mbahet më 13 dh 14 tetor 2022. Këshilli Organizativ, përveç përfaqësuesve nga Fakulteti i Gjeoshkencave në UIBM, ku kryesues është profesori Sabri Avdullahi, ka në përbërje: Gani Kastratin e Gani Maliqin nga Komisioni i Pavarur për Miniera dhe Minerale (KPMM), Luan Morinën nga Shërbimi Gjeologjik i Kosovës dhe Skender Sallahun nga Departamenti i Minierave në Ministrinë Ekonomisë.
Të pranishëm në mbledhjen e parë të KO ishin edhe rektori i UIBM, prof.dr. Alush Musaj dhe prorektorët. Musaj vlerësoi punën e mirë që është bërë në kuadër të kësaj konference në tri edicionet e mëparshme dhe shprehu besimin për suksesin e saj edhe në edicionin e katërt.
Ai ofroi mbështetjen e plotë të UIBM sa i përket organizimit dhe aspekteve të tjera që ndërlidhen me këtë konferencë. “Jam shumë mirënjohës për krejt ata që kanë qenë pjesë e organizmit dhe pjesëmarrësit në tri edicionet e para dhe po ashtu edhe për ju që sot jeni pjesë e këtij projekti shkencor, që tejkalon kufijtë e universitetit tonë”, tha ai.
Të pranishmit kanë shprehur gatishmërinë për të kontribuuar që organizimi i edicionit të katërt të shkojë sa më mirë.