API

Studentët e Fakultetit Juridik së bashku me dekanin Islam Qerimi si dhe profesoren Mimoza Aliu, pritën përfaqësues të Agjencisë për Informim dhe Privatësi – AIP

Në kuadër të angazhimeve të karakterit sensibilizues në promovimin e së drejtës për Qasje në Dokumente Publike dhe asaj të Mbrojtjes së të Dhënave Personale, Komisionerja për Informim dhe Privatësi, Krenare Sogojeva – Dermanku, së bashku me zyrtarët Egzon Sylaj dhe Arbërie Hyseni mbajtën një ligjëratë të hapur me studentët e Fakultetit Juridik të Universitetit ‘’Isa Boletini’’ në Mitrovicë.

Kjo ligjëratë pati për qëllim vetëdijësimin e studentëve rreth Ligjit për Mbrojtjen e të Dhënave Personale dhe Ligjit për Qasje në Dokumente Publike, si dhe me misionin, rolin dhe kompetencat e Agjencisë në përgjithësi. Në këtë takim mori pjesë edhe Nebi Halili përfaqësues nga Shërbimi Korrektues i Kosovës.

Në këtë ligjëratë u zhvillua një debat interesant në lidhje me aktivitetet konkrete të deritanishme që ka ndërmarrë kjo Agjenci në rastet e shkeljes së Ligjit për Qasje në Dokumente Publike dhe asaj të Mbrojtjes së të Dhënave Personale, si dhe si udhëzon ajo për shtimin e  masave të sigurisë. Në fund dekani Qerimi i falenderoi për gatishmërinë e AIP-së, për të mbajtur këtë ligjëratë dhe u shpreh gatishmëri e dyanshme për një bashkëpunim edhe më të ngushtë me Fakultetin Juridik.