Jurr

Në Fakultetin Juridik u mbajtë ligjëratë e hapur me hulumtuesin norvegjez Josef Martinsen

Për studentët e Fakultetit Juridik të UIBM-së, dekani i Fakultetit Juridik, prof. asoc. dr.  Islam Qerimi së bashku me drejtoren e Institutit Shkencor Suedezo – Kosovar, Dr. sc. Salih Salihu, si dhe me drejtorin ekzekutiv të Institutit për Studime Evropiane dhe Globale, MSc. Jeton Halimi organizuan një ligjëratë të hapur me hulumtuesin norvegjez Jozef Martinsen, me temë: “Nga Lufta drejt paqes”. Në hapje të kësaj ligjërate dekani i Fakultetit Juridik, Qerimi shpalosi idenë e bashkëorganizimit të kësaj ligjërate të hapur me drejtorët e dy instituteve të lartëcekura Dr, Salihu dhe MSc. Halimi, me të cilat Fakulteti ka arritur memorandume bashkëpunimi! Në vazhdim dekani fjalën i dha hulumtuesit norvegjez Josef Martinsen i cili njëherit është edhe themelues i Komisionit të së Vërtetës (Truth Commission), një nismë që synon të krijojë një rrëfim të përbashkët të së shkuarës.

Z. Martinsen fillimisht shpalosi historikun e aktiviteteve të tij në Kosovë! Ai theksoi, se si që prej korrikut të vitit 1999 deri në mars të vitit 2000 ishte punësuar ne cilësinë e koordinatorit në UNHCR (Organizatën e Kombeve të Bashkuara për Refugjatët) për të pastruar puset e ujit në Kosovë, nga trupat e njerëzve e për këtë ka shkruar edhe libër. Më tutje prej vitit 2006 ai ka punuar lidhur me dokumentimin e fakteve të njerëzve të vrarë dhe të zhdukur në luftën e Kosovës në vitet 1998 – 1999, si dhe me faktin se çfarë ka ndodhur me civilët gjatë luftës. Ai argumentoi në mënyrë të detajuar faktin se si po bëhej gjueti ndaj shqiptarëve nga forcat ushtarake dhe policore si dhe paramilitarët serbë apo jugosllavë. Ai pasqyroi se: “Më është dashur të pastroj ujin e puseve nga trupat e njerëzve për më shume se tetë muaj. Unë përfundova në mars të vitit 2000, pas tetë muajsh. Nga viti 2001 deri në 2005 kam dokumentuar dhe shkruar librin e parë për vrasjet e puseve. Më pas nga viti 2006 deri në 2010 filloi libri i dytë dhe një film që do të realizohej. Bëhet fjalë për historinë e rreth 10,600 fëmijëve, grave dhe burrave të gjetur në 400 varre masive që u vranë gjatë 18 muajve, nga janari ’98 deri në qershor ’99. Po bëhej gjueti ndaj shqiptarëve nga policia ushtarake dhe milicia civile serbe apo jugosllave. Nga viti 2013 deri në vitin 2018 kam qëndruar në Beograd dhe kam informuar njerëzit në Beograd, në Serbi për atë që ka ndodhur në Kosovë në vitet ’98-’99.”.

Me tutje, Drejtoresha e Institutit Shkencor Kosovaro – Suedez, Dr. Salihe Salihu theksoi se gjeneratave duhet t’ju tregohet se gjenocidi në Kosovë duhet të shpaloset në tërësi, të ketë kërkim falje nga agresorët, në mënyrë që t’i hapet rrugë paqes. Ndërsa, Drejtori ekzekutiv i Institutit për Studime Evropiane dhe Globale, MSc. Jeton Halimi deklaroi se përkundër të gjitha luftërave të shkaktuara në Ballkan, agresori, në këtë rast Serbia, ende nuk ka marrë dënimin e merituar.

Ndërkaq, dekani i Fakultetit Juridik në Mitrovicë, Qerimi u shpreh se Ushtria Çlirimtare e Kosovës që nga paraqitja e saj publike ka pasur imazh pozitiv në arenën ndërkombëtare, sepse ka zhvilluar një luftë të drejtë, luftë mbrojtëse dhe për këtë shkak ka pasuar edhe intervenimi i NATO-s, mbi forcat ushtarake – policore dhe paramilitare serbo – jugosllave.

Në fund, dekani Qerimi falënderoi referuesit e kësaj ligjërate të hapur e në veçanti hulumtuesin norvegjez, Martinsen për gatishmërinë e tij që të udhëtojë nga Norvegjia e largët deri në Mitrovicë, respektivisht në Fakultetin Juridik të Universitetit “Isa Boletini”, për të paraqitur të gjithë tmerrin që e kishte përjetuar si dëshmitar i gjallë për ato krime qe kishte kryer ushtria, policia dhe paramilitarët serbo- jugosllavë gjatë luftës së fundit në Kosovë, me qëllim të shkatërrimit në tërësi të popullatës shqiptare e gjithashtu atë e falënderoi edhe për vullnetin dhe palodhshmërinë e tij të pashoqe i cili në vazhdimësi po kontribuon për senzibilizimin e faktorëve relevant ndërkombëtar mbi gjenocidin në fjalë.

Një falënderim dhe mirënjohje dekani Qerimi u adresoi edhe Agjencisë së Lajmeve “Kosovapress” për përcjelljen dhe transmetimin e këtij aktiviteti, si dhe studentëve të Fakultetit!