Realizimi i vizitës së parë studimore të studentëve të Fakultetit të Edukimit në Qendrën Burimore “Përparimi”
Në datën 14 maj 2024, studentët e Fakultetit të Edukimit në Universitetin Isa Boletini në Mitrovicë kryen vizitën e tyre të parë studimore për këtë vit akademik në Qendrën Burimore përparimi në Prishtinë. Nën udhëheqjen e Ass Arbesa Uka dhe zyrtares për shërbime studentore, znj. Blerta Gashi, studentët patën mundësinë të njihen me praktika të mira dhe inovative në fushën e arsimit special.
Drejtoresha znj. Igballe Asllani Potera udhëhoqi një ligjëratë frymëzuese për studentët, duke theksuar rëndësinë e arsimit special dhe gjithëpërfshirjes në procesin mësimor. Ligjëratë e saj përmbante informacione të rëndësishme për planin PIA, vlerësimin e fëmijëve me nevoja të veçanta, si dhe metodat më efikase të punës dhe mësimdhënies me ta. Moment i rëndësishëm ishte takimi me “Mësimdhënëset udhëtuese” të cilat mbeten të përkushtuara në ngritjen e kapaciteteve të mësimdhënësve që punojnë me fëmijë me nevoja të veçanta në rajonin e Prishtinës.
Në vazhdim të vizitës, studentët u njohën me hapësirat dhe resurset e Qendrës Burimore “Përparimi”. Në këtë objekt të specializuar, gjetën klasa të ndara sipas moshës dhe ciklit klasor, amfiteatër, qëndrime ditore për nxënës, kabinete pune, salla e mesimdhenësve, salla e gjimnastikës dhe fitnesit, si dhe shërbime si psikologu, dhe kabineti për muzikoterapi. Ndër të tjera, hapesirat e leximit dhe kuzhina me restorant ofronin ambiente të përshtatshme për nevojat e nxënësve.
Rëndësia e njohjes së parimeve të arsimit special dhe gjithëpërfshirjes u theksua gjatë vizitës për studentët e ardhshëm të ciklit fillor dhe parashkollor. Në një shoqëri ku diversiteti është një vlerë e thellë, njohja e këtyre parimeve bën që mesimdhenësit e ardhshëm të jenë gati për të përballuar sfidat dhe për të krijuar mjedis të përshtatshëm mësimor për të gjithë nxënësit.
Përfundimisht, studentët e Fakultetit të Edukimit dëshirojnë të falenderojnë stafin dhe menaxhmentin e Qendrës Burimore “Përparimi” për punën e tyre të jashtëzakonshme në fushën e arsimit special dhe menaxhmentin e FEdu, UIBM për mundësinë. Vizita ishte një eksperiencë e frytshme dhe frymëzuese për të gjithë pjesëmarrësit, duke shtuar vlerë në rrugën e tyre drejt një arsimi më të mirë dhe më të përfshirë për të gjithë.