Ka filluar punimet Konferenca Ndërkombëtare Ndërdisiplinore “Mirëqenia në Kohë Sfiduese”
Ka filluar të premtën në Prishtinë Konferenca e 19-të Ndërkombëtare Ndërdisiplinore me temë “Mirëqenia në Kohë Sfiduese” (Wellbeing in Challenging Times). Kjo konferencë dyditore mblodhi së bashku akademikë, studiues dhe profesionistë nga fusha të ndryshme për të adresuar çështjet e mirëqenies në kontekstin e sfidave globale bashkëkohore.
Bashkëorganizator të konferencës janë rreth 15 institucione të arsimit të lartë, institute kërkimore dhe organizata nga rajoni dhe më gjerë. Që nga viti 2017, një nga bashkëorganizatorët kryesorë të këtij eventi, të udhëhequr nga Instituti Shqiptar i Sociologjisë / Shoqata Sociologjike Shqiptare në Tiranë, është edhe Universiteti “Isa Boletini” në Mitrovicë (UIBM). Në këtë edicion, u prezantuan 161 punime shkencore nga mbi 254 autorë dhe bashkautorë, që përfaqësonin 23 shtete të ndryshme. Konferenca përfshiu sesione speciale dhe tematike, si dhe ndarjen e çmimeve për prezantime dhe kërkime të shquara.
Universiteti “Isa Boletini” në këtë konferencë u përfaqësua nga Prof. Asoc. Dr. Besim Gollopeni, i cili në fjalën e tij të hapjes përshëndeti pjesëmarrësit në emër të menaxhmentit të UIBM dhe u uroi suksese në zhvillimin e punimeve. Në fjalimin e tij, Prof. Gollopeni theksoi: “Dija merr kuptim të plotë vetëm kur ndahet me të tjerët. Kjo konferencë është një mundësi e shkëlqyer për të ndarë dijet dhe risitë tona, dhe duke ndërtuar ura bashkëpunimi për sot dhe të ardhmen”. Ai shtoi se kohët sfiduese, si pandemitë globale, kriza klimatike, plakja e popullsisë dhe pabarazitë sociale, na kanë bërë të kuptojmë rëndësinë e mirëqenies jo vetëm si një koncept individual, por edhe si një proces kolektiv që kërkon ndërhyrje ndërdisiplinore. Në përfundim, Prof. Gollopeni nënvizoi domosdoshmërinë e përkushtimit për ndërtimin e një shoqërie më të qëndrueshme dhe gjithëpërfshirëse.
Konferenca konfirmoi edhe një herë rëndësinë e bashkëpunimit ndërkombëtar për t’u përballur me sfidat globale dhe për të avancuar mirëqenien si një përparësi universale.