Profesorë dhe studentë nga FTU-ja qëndruan në Universitetin Yeditepe në Turqi
Në kuadër të projektit “Kokrrat e Kafesë 2.0: Siguria Ushqimore dhe Përmirësimi i Cilësisë dhe Parametrave Shqisor të Kafesë përmes Fermentimit”, stafi nga Fakulteti i Teknologjisë Ushqimore, përbërë nga Prof. Asoc. Fatos Rexhepi, Prof. Ass. Bahtir Hyseni dhe studentja Almira Fejza, realizoi një vizitë katërditore në Universitetin Yeditepe në Turqi. Ky projekt, i udhëhequr nga Prof. Ass. Bahtir Hyseni, është financuar nga Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MASHTI) në Kosovë dhe mbështetet nga Universiteti “Isa Boletini” në Mitrovicë, në bashkëpunim me Universitetin Yeditepe në Turqi dhe partnerin industrial, Prince Kafe Turke.
Gjatë kësaj vizite, u zhvilluan takime të rëndësishme mes partnerëve të projektit, ku u diskutuan teknikat shkencore që do të përdoren gjatë zbatimit të projektit, si dhe afatet kohore për realizimin e tij. Një aspekt i rëndësishëm i vizitës ishte ligjërata e mbajtur nga Prof. Asoc. Fatos Rexhepi për studentët e nivelit master dhe të doktoratës në Universitetin Yeditepe, e cila u prit me interes të veçantë.