Rektorja Deva priti në takim prof.dr. Emrah Nikerel nga Universiteti “Yeditepe” në Turqi
Rektorja e Universitetit “Isa Boletini” në Mitrovicë, prof.dr. Nurten Deva, ka pritur në takim prof.dr. Emrah Nikerel nga Universiteti “Yeditepe” në Turqi, i cili ka mbajtur disa ligjërata në Fakultetin e Teknologjisë Ushqimore në kuadër të projektit “Kokrrat e Kafesë 2.0”. Në takim, ku ishin të pranishëm edhe prorektorët, prof.asoc.dr. Edita Bekteshi dhe prof.ass.dr.Bahtir Hyseni, u fol për ecurinë e projektit “Kokrrat e Kafesë 2.0”, i cili është financuar nga Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit.
Rektorja Deva e ka falënderuar profesorin nga Turqia për angazhimin e tij në kuadër të këtij projekti dhe për ligjëratat që ka mbajtur me studentët e FTU-së. Ajo ka vlerësuar se ky projekt paraqet një mundësi dhe përvojë të mirë si për studentët ashtu edhe për stafin akademik.
Prof. Nikerel është i specializuar në bioteknologji industriale, bioinformatikë dhe biostatistikë. Ai është autor i disa artikujve shkencorë dhe bashkautor i një kapitulli libri mbi modelimin e rrjeteve biologjike. Aktualisht ligjëron në programe universitare dhe pasuniversitare në fushat e inxhinierisë bio dhe bioteknologjisë.
