Picture6

Prof. Dr. Islam Qerimi pranon dhurimin e teksteve universitare nga Prof. Dr. Fadil Lekaj për Fakultetin Juridik të UIBM

Mitrovicë, qershor 2025 – Fakulteti Juridik i Universitetit “Isa Boletini” në Mitrovicë është pasuruar me një fond të ri veprash shkencore falë një dhurimi të çmuar nga Prof. Dr. Fadil Lekaj, profesor i njohur dhe autor i shumë teksteve universitare në fushën e së drejtës.

Dekani i Fakultetit Juridik, Prof. Dr. Islam Qerimi, ka pranuar me mirënjohje këtë dhurim me vlerë të lartë akademike, duke theksuar rëndësinë e këtij kontributi për zhvillimin e mëtejshëm të kapaciteteve mësimore dhe kërkimore të fakultetit. Tekstet e dhuruara do t’u shërbejnë studentëve dhe stafit akademik si burime të rëndësishme për përvetësimin e njohurive të avancuara në fushën juridike dhe për mbështetjen e kërkimeve shkencore.

“Jemi thellësisht mirënjohës për këtë gjest të veçantë të Prof. Dr. Fadil Lekaj, i cili përveçse një akademik me përvojë të gjatë, është edhe një kontribuues i palodhshëm në zhvillimin e mendimit juridik shqiptar. Ky dhurim nuk është vetëm një pasurim i bibliotekës sonë, por një akt i rëndësishëm që dëshmon përkushtimin e tij ndaj edukimit dhe zhvillimit profesional të gjeneratave të reja të juristëve,” theksoi Dekani Qerimi gjatë ceremonisë së pranimit të librave.

Fakulteti Juridik i UIBM-së falënderon sinqerisht Prof. Dr. Fadil Lekaj për kontributin e tij shkencor dhe kombëtar, duke vlerësuar lart gatishmërinë e tij për të ndarë dijen dhe përvojën me komunitetin akademik të Mitrovicës.

Shperndaj ne: