Grupi Punues i Fakultetit Juridik vazhdon punën për hartimin e Raportit të Vetëvlerësimit (RVV)
Grupi punues i Fakultetit Juridik për hartimin e Raportit të Vetëvlerësimit (RVV), në mbledhjen e sotme, ka trajtuar kapitullin që i kushtohet studentëve, duke analizuar në mënyrë të detajuar standardet dhe kërkesat që ndërlidhen me këtë komponent të rëndësishëm të procesit të sigurimit të cilësisë.
Nën kryesimin e koordinatorit të Grupit Punues për hartimin e RVV-së për programin baçelor në Fakultetin Juridik, prof. ass. dr. Zahir Cerkini, u zhvillua takimi i radhës, i cili u fokusua në avancimin e draftimit të dokumentit të Raportit të Vetëvlerësimit të programit studimor. Gjatë këtij takimi, u diskutuan në mënyrë gjithëpërfshirëse të gjitha çështjet që kanë të bëjnë me përgatitjen e draft-dokumentit, me qëllim që i njëjti të finalizohet dhe të përcillet brenda afateve të parapara.
Procesi i hartimit të RVV-së po zhvillohet në përputhje të plotë me kërkesat e Rregullores për akreditim dhe riakreditim të institucionit dhe programeve në UIBM, duke siguruar respektimin e standardeve të përcaktuara dhe përmbushjen e kritereve të cilësisë. Dokumenti, pas finalizimit, do të dorëzohet në Zyrën për Sigurimin e Cilësisë në UIBM.
Në këtë takim mori pjesë edhe anëtari i Trupit Këshilldhënës të Fakultetit, avokat Besim Parduzi, i cili kontribuoi me vërejtjet dhe sugjerimet e tij profesionale në funksion të përmirësimit të mëtejmë të përmbajtjes së raportit.
Takimi i radhës i Grupit Punues është caktuar të mbahet më 31 mars 2026, ku do të vazhdohet me trajtimin e kapitujve të tjerë të RVV-së dhe finalizimin e dokumentit.
