Marreveshja

Marrëveshje për themelimin e Klinikës Juridike Penale

Me qëllim të rritjes së cilësisë së arsimit juridik duke zgjeruar disponueshmërinë e trajnimit për shkathtësi praktike, është nënshkruar të premten një Marrëveshje Mirëkuptimi ndërmjet Universitetit “Isa Boletini” në Mitrovicë, përkatësisht  Fakultetit Juridik, programit “Kërko Drejtësi” dhe Odës së Avokatëve të Kosovës. Në kuadër të kësaj marrëveshje të nënshkruar nga rektori, Alush Musaj, mandej Edona  Ahmetaj nga programi “Kërko drejtësi” si dhe Vehbi Beqiri nga Oda e Avokatëve, planifikohet të themelohet Klinika Juridike Penale me raste reale.

Në kuadër të marrëveshjes parashihen edhe detyrat që duhet të përmbushen. Në këtë drejtim Universiteti “Isa Boletini” në Mitrovicë, përkatësisht Fakulteti Juridik njeh programin “Kërko drejtësi” (D4J), si partnerin e tij kryesor në lehtësimin e ofrimit të arsimit më të mirë të shkathtësive praktike për studentët e nivelit master dhe në rritjen e përqindjes së studentëve që vijojnë kurse juridike klinike (trajnim për shkathtësi praktike). Poashtu nga Fakulteti Juridik pritet të themelohet Klinika Juridike Penale me raste reale. Ligjëratat do të mbahen në objektet e Universitetit “Isa Boletini” në Mitrovicë – Fakultetit Juridik.

Ndërsa programi “Kërko drejtësi” (D4J) që mbështetet nga Departamenti i Shtetit të SHBA-ve, Byroja për Çështje Ndërkombëtare të Narkotikëve dhe të Zbatimit të Ligjit (INL), synon të vë në dispozicion të Universitetit të Mitrovicës – Fakultetit Juridik ekspertizën e fituar përmes pilot klinikës të programit D4J të zhvilluar në Prishtinë me ndihmën e avokatëve pro-bono të Odës së Avokatëve të Kosovës në Prishtinë.

Ndryshe programi “Kërko drejtësi” ka filluar zbatimin në Kosovë në gusht të vitit 2016 dhe ka për qëllim mbështetjen e zhvillimit të qëndrueshëm të kërkesës së fuqishme për drejtësi në Kosovë, duke u bazuar në dëshmi, dhe forcimin e të menduarit kritik dhe aftësive praktike të të rinjve në Kosovë. Me theks në edukimin e të rinjve, D4J do të udhëheqë një fushatë për edukimin e publikut lidhur me sektorin e drejtësisë, duke përfshirë të drejtat e njeriut, qasjen në drejtësi dhe mekanizmat e llogaridhënies të domosdoshëm për të siguruar këto të drejta.