Osbe

Rektori Musaj vlerëson bashkëpunimin me OSBE-në

Universiteti “Isa Boletini” në Mitrovicë dhe OSBE-së do të bashkëpunojnë ngushtë në të mirë të studentëve dhe shoqërisë në përgjithësi. Për këtë u dakorduan rektori Alush Musaj dhe përfaqësuesi i OSBE-së për demokratizim, Motoko Hayakawa,  gjatë një takimi të përbashkët që zhvilluan të mërkurën.

Në takim u bisedua edhe për organizimin e ligjëratës publike nga OSBE-ja dhe Fakulteti Juridik, me titull “Sundimi i ligjit-pse aq shumë nga ne respektojmë ligjin?”, që do të mbahet  më 2 nëntor  nga ora 10:00 në Universitetin “Isa Boletini”. Rektori Musaj e falënderoi përfaqësuesin e OSBE-së për organizimin e kësaj ligjërate dhe për mundësinë që po ofrojnë për studentët dhe të interesuarit e tjerë. “Është një mundësi jashtëzakonisht e mirë për studentët, por edhe për të gjithë ata që janë të interesuar, që ofrohet nga ky aktivitet që organizohet nga OSBE-ja dhe Fakulteti Juridik”, tha ai.

Ndërsa,  përfaqësuesi i OSBE-së për demokratizim, Motoko Hayakawa, ka falënderuar rektorin për mbështetje. “Jemi jashtëzakonisht të lumtur që mund të organizojmë një aktivitet të tillë në ambientet universitare”, tha ai, duke ftuar që të marrin pjesë në ligjëratë të gjithë ata që janë të intersuar.